Integrimi i kritereve mjedisore në prokurimet publike, përdorimi i teknologjisë dhe vlerësimi i kostove gjatë gjithë ciklit të jetës së produkteve ishin në fokus të një aktiviteti ndërkombëtar të zhvilluar në Lituani, ku Shqipëria u përfaqësua nga Operatori i Blerjeve të Përqendruara (OBP).
Administratori i Operatorit të Blerjeve të Përqendruara, Jonaid Myzyri, mori pjesë në aktivitetin ndërkombëtar “Enhancing Green Public Procurement Monitoring in Lithuania and Latvia”, të organizuar në Palanga të Lituanisë, në kuadër të një projekti të financuar nga Komisioni Evropian dhe të zbatuar nga Banka Botërore.
Aktiviteti mblodhi përfaqësues të institucioneve të prokurimit publik nga vende të ndryshme evropiane, me synim shkëmbimin e përvojave dhe praktikave më të mira për integrimin e standardeve mjedisore në proceset e blerjeve publike.
Gjatë prezantimit të tij, Myzyri paraqiti përvojën e Shqipërisë dhe rolin e Operatorit të Blerjeve të Përqendruara në promovimin e Prokurimit Publik të Gjelbër, një qasje që synon të orientojë shpenzimet publike drejt produkteve dhe shërbimeve me ndikim më të ulët në mjedis.
Në fokus të diskutimeve ishte rëndësia e përfshirjes së kritereve mjedisore në procedurat e prokurimit, duke shkuar përtej vlerësimit tradicional të ofertave vetëm mbi bazën e çmimit të blerjes.
Një nga elementet kryesore të kësaj qasjeje është vlerësimi i kostos gjatë gjithë ciklit të jetës së produktit, që përfshin jo vetëm çmimin fillestar, por edhe shpenzimet për përdorimin, mirëmbajtjen, konsumin e energjisë dhe trajtimin e produktit në fund të jetëgjatësisë së tij.
Kjo metodologji synon të përmirësojë eficiencën e përdorimit të fondeve publike, duke marrë në konsideratë kostot afatgjata dhe ndikimin mjedisor të mallrave dhe shërbimeve që blihen nga institucionet shtetërore.
Një tjetër çështje e trajtuar gjatë aktivitetit ishte përdorimi i instrumenteve digjitale për monitorimin e prokurimeve publike të gjelbra. Teknologjia mundëson mbledhjen dhe analizimin e të dhënave mbi procedurat e prokurimit, duke ndihmuar në matjen e ndikimit të tyre mjedisor, rritjen e transparencës dhe përmirësimin e vendimmarrjes.
Për Shqipërinë, zhvillimi i prokurimeve të gjelbra lidhet edhe me procesin e përafrimit të standardeve kombëtare me praktikat dhe politikat e Bashkimit Evropian, ku qëndrueshmëria mjedisore dhe përdorimi eficient i burimeve publike po marrin një rëndësi gjithnjë e më të madhe.
Në këtë drejtim, Operatori i Blerjeve të Përqendruara synon të kontribuojë në modernizimin e sistemit të prokurimit publik, përmes përmirësimit të procedurave, përdorimit të teknologjisë dhe promovimit të kritereve që marrin në konsideratë ndikimin ekonomik dhe mjedisor të blerjeve.
Pjesëmarrja në aktivitetin e Lituanisë shërbeu gjithashtu si një mundësi për forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe shkëmbimin e ekspertizës me institucionet homologe evropiane.
Prokurimi Publik i Gjelbër konsiderohet një instrument i rëndësishëm për orientimin e shpenzimeve shtetërore drejt zhvillimit të qëndrueshëm, pasi institucionet publike, përmes fuqisë së tyre blerëse, mund të ndikojnë në kërkesën për produkte dhe shërbime më efikase, inovative dhe miqësore me mjedisin.
Sfida për Shqipërinë mbetet përkthimi i këtyre praktikave në kritere konkrete, të matshme dhe të zbatueshme në procedurat e prokurimit, në mënyrë që përfitimet ekonomike dhe mjedisore të mos mbeten vetëm në nivel objektivash, por të reflektohen në përdorimin e fondeve publike. /ekofin.al


