Vetëm rreth 35% e shqiptarëve përdorin internetin për të bërë blerje, një nivel dukshëm më i ulët se mesatarja e Ballkanit Perëndimor dhe rreth gjysma e normës së regjistruar në Bashkimin Europian. Shqipëria lë pas vetëm Malin e Zi në rajon, ndërsa Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Serbia kanë arritur në rreth 60% të popullsisë që blejnë mallra dhe shërbime online.
Sipas të dhënave të OECD-së në Raportin e Konvergjencës Ekonomike për Ballkanin Perëndimor 2026, për periudhën 2023-2024, mesatarja e Ballkanit Perëndimor për përdorimin e internetit për blerje arriti në 47.2% të popullsisë, kundrejt 70.9% në Bashkimin Evropian. Pra, rajoni në tërësi arrin vetëm rreth dy të tretat e nivelit të BE-së.
Treguesi i blerjeve online për Shqipërinë rezulton në 49.7% të nivelit të BE-së. Duke e krahasuar me mesataren evropiane prej 70.9%, kjo korrespondon me afërsisht 35% të popullsisë shqiptare që blen online. Rezultati është përmirësuar ndjeshëm krahasuar me periudhën 2020-2022, kur rezultati relativ i Shqipërisë ishte vetëm 30.9% i nivelit të BE-së.
Megjithatë, distanca me ekonomitë kryesuese të rajonit mbetet e madhe. Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Serbia janë të gjitha pranë nivelit 60%, duke iu afruar performancës së vendeve fqinje të BE-së. Në anën tjetër, Mali i Zi ka normën më të ulët në rajon, 31.7%, duke mbetur i vetmi vend poshtë Shqipërisë.
Kjo do të thotë se një konsumator në Kosovë, Serbi apo Maqedoninë e Veriut ka pothuajse dyfish më shumë gjasa të përdorë internetin për blerje sesa një konsumator në Shqipëri.
Pavarësisht hendekut, blerjet online janë treguesi që po konvergon më shpejt me BE-në në të gjithë klasterin e transformimit digjital të Ballkanit Perëndimor. OECD vëren se përmirësime janë regjistruar në të gjashtë ekonomitë. Mesatarja rajonale është rritur nga 51.2% e nivelit të BE-së në 2020-2022 në rreth dy të tretat e nivelit evropian në 2023-2024.
Por raporti thekson disa barriera që vazhdojnë të kufizojnë zgjerimin e tregtisë elektronike. Një prej tyre është besimi te siguria e pagesave online. Rreth 26% e qytetarëve të Ballkanit Perëndimor e konsiderojnë sigurinë e pagesave një nga shqetësimet kryesore që lidhen me përdorimin në rritje të teknologjive digjitale.
OECD përmend gjithashtu boshllëqe në mbrojtjen e të dhënave dhe të drejtave të konsumatorit, si dhe përdorimin ende të kufizuar të kartave të debitit dhe kreditit në disa ekonomi. Këta faktorë e bëjnë më të vështirë zgjerimin e e-commerce.
Po kështu, pengesë është përdorimi i lartë i parasë cash në rajon. Raporti e lidh këtë me disa faktorë, përfshirë ekonominë informale, shqetësimet për sigurinë dhe vështirësitë që grupe të caktuara të popullsisë mund të kenë në aksesimin e alternativave digjitale.
Për Shqipërinë, hendeku në blerjet online është veçanërisht interesant pasi vendi ka avancuar shpejt në fusha të tjera të digjitalizimit. Shqipëria kryeson rajonin për përdorimin e shërbimeve publike online dhe për përdorimin e inteligjencës artificiale nga bizneset, por ky progres nuk është përkthyer ende në të njëjtin nivel përdorimi të kanaleve digjitale nga konsumatorët. /ekofin.al

