Shqiptarët që arrijnë moshën 60 vjeç pritet të jetojnë mesatarisht edhe 19.9 vite, por vetëm 15.3 prej tyre konsiderohen vite me shëndet të mirë. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), 4.6 vite, ose 23% e jetëgjatësisë së mbetur, pritet të kalohen me kufizime funksionale. Ndërkohë, 53.8% e personave mbi 60 vjeç kanë dëmtime të shikimit dhe 30% të dëgjimit, ndërsa në kujdesin për të moshuarit evidentohen mungesa të programeve kombëtare të trajnimit për kujdestarët formalë dhe boshllëqe në të dhënat për shërbimet afatgjata.
Këto janë disa nga gjetjet kryesore të një raporti të fundit të OBSH-së. Sipas të dhënave të vitit 2023, vendi numëronte 644 mijë persona mbi 60 vjeç, ose 22.9% të popullsisë prej rreth 2.8 milionë banorësh. Projeksionet e Kombeve të Bashkuara parashikojnë rritje të mëtejshme të peshës së popullsisë mbi 65 vjeç, duke shtuar nevojat për shërbime shëndetësore dhe mbrojtje sociale.
Mbi gjysma e të moshuarve me probleme të shikimit, 30% me dëgjimin
Sipas OBSH-së, 53.8% e personave mbi 60 vjeç kanë dëmtime të ndryshme të shikimit dhe 30% dëmtime të dëgjimit. Këto probleme mund të kufizojnë pavarësinë, komunikimin dhe aktivitetet e përditshme, duke shtuar nevojën për trajtime dhe shërbime mbështetëse.
Të dhënat e vitit 2021 tregojnë se dhimbjet e shpinës dhe qafës janë shkaku kryesor i viteve të jetës së shëndetshme të humbura për shkak të aftësisë së kufizuar, të ndjekura nga dëmtimet e dëgjimit dhe diabeti. Ndër shkaqet e tjera renditen problemet e shëndetit oral, osteoartriti, Alzheimeri dhe demencat, çrregullimet depresive, rrëzimet dhe goditjet në tru.
Për vdekshmërinë, shkaku kryesor te personat mbi 60 vjeç janë goditjet në tru, të ndjekura nga sëmundjet ishemike të zemrës. Në vitin 2021, COVID-19 renditej i treti dhe Alzheimeri e demencat e tjera në vendin e katërt. Në shkaqet kryesore përfshihen gjithashtu kanceri i trakesë, bronkeve dhe mushkërive, sëmundjet pulmonare obstruktive kronike dhe sëmundjet hipertensive të zemrës.
Raporti evidenton edhe një incidencë prej 1,803 rrëzimesh për 100 mijë banorë te personat mbi 60 vjeç, një faktor që mund të ndikojë në humbjen e aftësive funksionale dhe nevojën për rehabilitim.

Kujdesi afatgjatë, pa programe kombëtare trajnimi për kujdestarët
OBSH konstaton se Shqipëria nuk ka programe kombëtare trajnimi për kujdestarët formalë të të moshuarve, ndërsa për trajnimin e kujdestarëve informalë, përfshirë familjarët, nuk paraqiten të dhëna.
Raporti evidenton gjithashtu mungesë informacioni për përqindjen e personave mbi 65 vjeç që marrin kujdes afatgjatë në institucione rezidenciale ose në banesë, si dhe për numrin e punonjësve që ofrojnë këto shërbime.
Mungojnë të dhëna edhe për politikat që integrojnë kujdesin paliativ në sistemin shëndetësor dhe vlerësimin e përbashkët të nevojave shëndetësore e sociale. Megjithatë, OBSH nuk e barazon mungesën e informacionit me mungesën e vetë shërbimeve.
Varfëria prek 15.8% të personave mbi 75 vjeç, megjithëse mbulimi me pensione arrin 96.5%
Sipas treguesve të përfshirë në profilin e OBSH-së, 15.8% e personave mbi 75 vjeç jetojnë nën kufirin e varfërisë, kundrejt 12.5% të grupmoshës 65–74 vjeç, një diferencë prej 3.3 pikësh përqindjeje.
Megjithatë, varfëria është më e përhapur te popullsia nën 65 vjeç, ku norma arrin në 20.5%, ose 4.7 pikë përqindjeje më shumë se te personat mbi 75 vjeç.
Ndërkohë, sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara të cituara nga OBSH, 96.5% e personave mbi moshën ligjore të pensionit marrin pension. Mbulimi i lartë nuk e eliminon varfërinë, megjithëse raporti nuk jep të dhëna për vlerën e pensioneve apo lidhjen e drejtpërdrejtë mes përfitimit të tyre dhe rrezikut të varfërisë.
Vështirësitë ekonomike pasqyrohen edhe në kushtet e jetesës: 7.9% e personave mbi 65 vjeç përballen me privim të rëndë në kushtet e banimit.

Shqipëria po plaket, por mungojnë studimet që ndjekin shëndetin e të moshuarve në kohë
Me 22.9% të popullsisë mbi 60 vjeç në vitin 2023, Shqipëria përballet me një proces të vazhdueshëm plakjeje. Projeksionet demografike deri në vitin 2100 parashikojnë rritje të peshës së personave mbi 65 dhe mbi 85 vjeç, duke shtuar rëndësinë e kujdesit shëndetësor dhe social afatgjatë.
Megjithatë, OBSH evidenton kufizime në monitorimin e kësaj popullsie. Shqipëria disponon të dhëna përfaqësuese në nivel kombëtar për personat mbi 60 vjeç, por nuk ka studime gjatësore që ndjekin të njëjtët individë ose grupe gjatë viteve.
Mungesa e këtyre studimeve vështirëson analizimin e ndryshimeve në gjendjen shëndetësore, humbjen e aftësive funksionale dhe zhvillimin e nevojave për kujdes, në një periudhë kur popullsia e moshuar pritet të zërë një peshë gjithnjë e më të madhe./ekofin.al
