Ndikimi mjedisor i një biznesi pritet të marrë gjithnjë e më shumë peshë në mënyrën se si bankat vlerësojnë financimin e tij. Banka e Shqipërisë prezantoi më 8 tetor draftin përfundimtar të Taksonomisë Kombëtare të Gjelbër, një kuadër për identifikimin dhe klasifikimin e aktiviteteve ekonomike që kontribuojnë në objektivat mjedisorë dhe klimatikë.
Dokumenti është hartuar në bashkëpunim me Bankën Evropiane të Investimeve (EIB), në kuadër të Programit të Asistencës Teknike për Sistemet Financiare të Gjelbra. Prezantimi mblodhi përfaqësues të institucioneve të përfshira në grupin ndërinstitucional të punës, bankave tregtare dhe ekspertë teknikë.
Për sektorin bankar, ky proces nënkupton përfshirjen më të gjerë të faktorëve mjedisorë dhe klimatikë në vlerësimin dhe menaxhimin e rrezikut. Sipas Zëvendësguvernatores së Dytë, Natasha Ahmetaj, vlerësimi i një aktiviteti ekonomik do të mbështetet gjithnjë e më shumë edhe te mënyra se si krijohet rezultati financiar dhe ndikimi që aktiviteti ka në qëndrueshmërinë e ekonomisë.
“Taksonomia e Gjelbër duhet parë jo vetëm si një çështje reputacionale apo si shprehje e vullnetit për të mbështetur qëndrueshmërinë, por si një instrument që do të ndikojë gjithnjë e më shumë në mënyrën se si kapitali do të orientohet drejt ekonomisë”, theksoi Ahmetaj.
Taksonomia synon të krijojë një bazë më të qartë për përcaktimin e aktiviteteve që mund të konsiderohen të gjelbra dhe për orientimin e investimeve drejt tyre. Në aktivitet u prezantuan kuadri i përgjithshëm i dokumentit, kriteret teknike të shqyrtimit dhe përshtatjet legjislative të parashikuara në draftin e tretë dhe përfundimtar.
Kjo qasje kërkon përgatitje si nga bankat, ashtu edhe nga bizneset. Institucionet financiare do të duhet të zhvillojnë produkte që përputhen me parimet e financës së gjelbër, ndërsa sipërmarrjet të përshtatin modelet e biznesit dhe teknologjitë me kërkesat e qëndrueshmërisë.
Sipas Bankës së Shqipërisë, forcimi i kuadrit rregullator ndërkombëtar dhe evropian për rreziqet klimatike e bën këtë proces gjithnjë e më të rëndësishëm. Për Shqipërinë, kërkesave të kësaj agjende u shtohen edhe ato që lidhen me integrimin në Bashkimin Evropian.
Përfaqësuesi i EIB-së në Shqipëri, Alessandro de Concini, e vlerësoi prezantimin si një hap për zhvillimin e tregut të kapitalit, tërheqjen e investimeve dhe përfshirjen e kreditimit të gjelbër në praktikën e zakonshme të biznesit. Sipas tij, procesi e afron Shqipërinë me standardet dhe tregun evropian, duke mbështetur uljen e emetimeve, konkurrueshmërinë dhe qëndrueshmërinë ndaj ndryshimeve klimatike.
Taksonomia do të jetë pjesë e një kuadri më të gjerë të financës së qëndrueshme, krahas përmirësimit të cilësisë dhe transparencës së të dhënave dhe forcimit të standardeve të raportimit. Megjithatë, dokumenti i prezantuar mbetet draft përfundimtar: njoftimi nuk përcakton një datë miratimi apo hyrjeje në fuqi dhe as afate konkrete për zbatimin e tij nga bankat dhe bizneset./ekofin.al
