Ekosistemi i start-up-eve në Ballkanin Perëndimor po hyn në një fazë të re zhvillimi, ndërsa vendet e rajonit përpiqen të kalojnë nga modeli tradicional i shërbimeve të nënkontraktuara në krijimin e produkteve dhe teknologjive me vlerë të shtuar. Një raport i RCC thekson se Shqipëria, megjithëse ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm ligjorë dhe institucionalë për të mbështetur inovacionin, mbetet ende prapa vendeve fqinje në renditjet globale të zhvillimit të start-up-eve, duke u përballur me sfida strukturore në financim, koordinim dhe aftësi digjitale.
Shqipëria në hartën rajonale të inovacionit
Sipas StartupBlink 2025, Shqipëria renditet në vendin e 83-të në botë për ekosistemin e start-up-eve, duke pësuar një rënie prej 19.1% krahasuar me një vit më parë. Nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor (WB6), më mirë paraqiten Serbia (vendi i 56-të, me qendra si Beogradi e Novi Sadi) dhe Maqedonia e Veriut (vendi i 78-të). Bosnja dhe Hercegovina ka shënuar përmirësim me +5%, ndërsa Kosova mban një pozicion të qëndrueshëm, dhe Mali i Zi ende nuk renditet në 100 vendet e para.
Në terma rajonalë, Serbia dominon edhe në vlerë investimesh, duke tërhequr rreth 70% të financimeve totale të start-up-eve në WB6 gjatë vitit 2024, ndërsa pjesa e mbetur ndahet midis vendeve të tjera, përfshirë Shqipërinë. Kjo tregon përqendrimin e kapitalit në ekosisteme tashmë më të pjekura dhe mungesën e një tregu të zhvilluar financiar në pjesën tjetër të rajonit.
Ligji për start-up-et dhe korniza institucionale: një fillim premtues, por jo i mjaftueshëm
Shqipëria ka ndërmarrë hapa konkretë për të krijuar një kornizë ligjore dhe institucionale moderne. Ligji nr. 25/2022 “Për Mbështetjen dhe Zhvillimin e Start-up-eve” dhe krijimi i Agjencisë Start-up Albania janë ndër zhvillimet më të rëndësishme të viteve të fundit. Këto nisma ofrojnë stimuj fiskalë për bizneset inovative dhe mbështetje për fazat e hershme të zhvillimit.
Megjithatë, raporti i EU4Innovation thekson se mbështetja mbetet e përqendruar në fazat “pre-ideation” dhe “seed”, pa struktura të qëndrueshme për inkubim, akselerim apo scale-up. Po kështu, mungesa e një strategjie kombëtare të koordinuar për inovacionin dhe ndarja e kompetencave midis disa ministrive e bën mbështetjen publike më pak efektive dhe fragmentare.
Investimet: boshllëku i madh financiar dhe varësia nga donatorët
Një ndër pengesat kryesore për zhvillimin e ekosistemit është mungesa e kapitalit privat. Ndryshe nga vendet e Europës Qendrore, ku fondet e kapitalit të rrezikut dhe rrjetet e “business angels” janë tashmë të konsoliduara, Shqipëria mbështetet kryesisht te grantet e BE-së dhe donatorëve ndërkombëtarë.
Instrumente si EU4Innovation, GIZ, Swiss EP, si dhe Crimson Finance Fund i mbështetur nga Albanian-American Development Foundation (AADF), përpiqen të mbushin këtë boshllëk përmes fondeve të hershme. Në vend operojnë gjithashtu Angels Albania dhe Albanian Business Angels Network (ABAN), por rrjeti i investitorëve vendas mbetet i kufizuar dhe fragmentar.
Sipas analizave të fundit, Shqipëria ka vetëm 88 start-up-e për çdo 1 milion banorë, ndërsa Lituania ka rreth 500 dhe Estonia mbi 1,100. Ky tregues nxjerr në pah diferencën mes potencialit dhe realitetit të ekosistemit shqiptar.
Sektorët me potencial: ICT, turizmi dhe AgriTech
Ekonomia e inovacionit në Shqipëri është e fokusuar kryesisht në sektorin e teknologjisë së informacionit (ICT), që përbën bazën e shumicës së start-up-eve. Kompanitë shqiptare kanë nisur të kalojnë nga modeli tradicional i shërbimeve (outsourcing) drejt zhvillimit të produkteve me pronësi intelektuale, sidomos në fushat e softuerëve, AgriTech, EdTech dhe turizmit digjital.
Megjithatë, sektorë me potencial të lartë si FinTech dhe RegTech mbeten ende në fazë embrionale për shkak të mungesës së rregulloreve të qarta dhe ndërgjegjësimit të ulët të tregut. Po kështu, start-up-et e inteligjencës artificiale (AI) përbëjnë vetëm 0.1% të totalit të start-up-eve në Europën Qendrore dhe Lindore, çka tregon se kjo fushë është ende e pazhvilluar në Shqipëri.
Hendeku i aftësive digjitale dhe sfida e transformimit teknologjik
Përkundër investimeve në infrastrukturë digjitale dhe mbulimit të lartë celular, Shqipëria dhe WB6 kanë ende nivele të ulëta të aftësive digjitale bazike. Vetëm rreth 32% e popullsisë zotëron këto aftësi, krahasuar me 54% në BE. Ky hendek kufizon përfitimin e qytetarëve dhe bizneseve nga shërbimet online, duke ngadalësuar tranzicionin drejt ekonomisë digjitale.
Raporti vlerëson se përmirësimi i arsimit digjital, bashkëpunimit universitet–industri dhe rritja e investimeve në kërkim shkencor (R&D) janë thelbësore. Aktualisht, Shqipëria shpenzon vetëm 0.1% të PBB-së për R&D, një nga nivelet më të ulëta në rajon.
Iniciativa vendase dhe decentralizimi i inovacionit
Pjesa më e madhe e sipërmarrjes inovative mbetet e përqendruar në Tiranë, që strehon rreth 30% të bizneseve aktive. Megjithatë, po shfaqen nisma për zgjerim rajonal si Tech-Hub Korça, Qendra Rinore në Shkodër dhe Gjirokastër, të mbështetura nga partnerë ndërkombëtarë.
Një shembull i spikatur është Qendra Rajonale e Inovacionit në Shqipëri, krijuar në bashkëpunim me EIT RawMaterials dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë. Qendra synon të forcojë bashkëpunimin midis universiteteve, inovatorëve dhe investitorëve, me fokus të veçantë në fuqizimin e grave dhe vajzave në fushat STEM, si dhe në ndërtimin e një ekosistemi të qëndrueshëm inovacioni në përputhje me Planin e Rritjes së BE për Ballkanin Perëndimor. /ekofin.al

