186 milionë lekë janë shpenzuar për rikonstruksionin e Markatës së Tregtimit të Peshkut me Shumicë në Vlorë, por objekti, i përfunduar dhe kolauduar që në pranverën e vitit 2022, rezultonte ende i mbyllur dhe i pavënë në funksion në momentin e auditimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Përveç mosshfrytëzimit të investimit, KLSH konstatoi edhe 1.1 milionë lekë punime të likuiduara, por të pakryera, si dhe mungesën e lejes së ndërtimit në dosjen e objektit.
Kontrata për “Rikonstruksionin e merkatos së tregtimit të peshkut me shumicë, Vlorë” është lidhur më 3 dhjetor 2019 ndërmjet Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe operatorit ekonomik “R&T” SHPK, me vlerë 186.1 milionë lekë me TVSH. Punimet nisën më 3 dhjetor 2019 dhe përfunduan më 14 shkurt 2022, ndërsa akti i kolaudimit dhe certifikata e përfundimit të punimeve mbajnë datën 15 prill 2022.

Megjithatë, auditimi në terren konstatoi se godina vazhdonte të ishte e mbyllur dhe e pashfrytëzuar si markatë peshku. KLSH e klasifikon mosfunksionimin e objektit si përdorim pa eficiencë të fondeve publike dhe vlerëson se gjendja e tij nuk justifikonte kërkesën për investimin.
Në rekomandimet përfundimtare, KLSH i kërkon Ministrisë së Bujqësisë dhe Drejtorisë së Shërbimeve të Peshkimit dhe Akuakulturës, në bashkëpunim me pushtetin vendor, që të marrin masa për vënien në punë të markatës. Audituesit kërkojnë gjithashtu ngritjen e një grupi pune për të përcaktuar arsyet dhe shkaqet që kanë sjellë vonesat në shfrytëzimin e investimit.
Vetë Ministria, gjatë observacioneve ndaj auditimit, argumentoi se vënia në shfrytëzim e Markatës së Peshkut nuk ishte përgjegjësi e strukturës së saj që mbulonte peshkimin, por e Drejtorisë së Shërbimeve të Peshkimit dhe Akuakulturës (DSHPA), e cila menaxhon drejtpërdrejt infrastrukturën e sektorit. KLSH e mori në konsideratë këtë sqarim dhe e reflektoi në rekomandimin përfundimtar, duke kërkuar përfshirjen e DSHPA-së në vënien në funksion të objektit.
1.1 milionë lekë punime të paguara, por të pakryera
Problemet e gjetura nuk kufizohen te mosfunksionimi i godinës. Nga krahasimi i situacionit përfundimtar, projektit, preventivëve dhe verifikimit fizik në terren, KLSH konstatoi diferenca midis volumeve të deklaruara dhe punimeve të kryera realisht.
Vlera e punimeve të likuiduara, por të pakryera, llogaritet në 936.7 mijë lekë pa TVSH, ose rreth 1.1 milionë lekë me TVSH, shumë të cilën KLSH-ja e konsideron dëm ekonomik ndaj buxhetit të shtetit dhe ka kërkuar që Ministria ta arkëtojë nga sipërmarrësi.
Objekti u mor në dorëzim pa leje ndërtimi në dosje
Auditimi nxjerr edhe një tjetër problematikë: në dosjen e zbatimit të Markatës së Peshkut nuk administrohej leja e ndërtimit dhe oponenca teknike. Megjithatë objekti ishte kolauduar dhe marrë në dorëzim. KLSH e përfshin Markatën e Vlorës mes pesë objekteve ku kontratat ishin marrë në dorëzim dhe likuiduar pavarësisht problematikave me lejen e ndërtimit ose deklaratën paraprake të punimeve.

KLSH-ja rekomandon që në të ardhmen Ministria të mos kryejë kolaudimin e objekteve pa dokumentacionin e nevojshëm të ndërtimit dhe të sigurojë lejet përpara zbatimit të punimeve. /ekofin.al
