Qeveria ka hedhur hapin e radhës për mbylljen përfundimtare të shoqërive shtetërore që prej vitesh, në disa raste prej më shumë se dy dekadash, ndodhen në proces likuidimi. Me një vendim të ri, Këshilli i Ministrave miraton aktin e themelimit dhe statutin e shoqërisë “Operatori i Shoqërive Shtetërore” sh.a., si dhe përcakton në 100 milionë lekë kapitalin e saj fillestar.
Shoqëria e re krijohet në zbatim të ligjit nr.79/2026 “Për mbylljen e shoqërive tregtare me kapital shtetëror në likuidim”, i miratuar gjatë këtij viti. Ligji ka si objekt shoqëritë ku shteti zotëron drejtpërdrejt ose tërthorazi jo më pak se 51% të kapitalit dhe që ndodheshin në proces likuidimi në momentin e hyrjes së tij në fuqi.
Kapitali prej 100 milionë lekësh i Operatorit do të përballohet nga buxheti i shtetit dhe do të alokohet për Ministrinë e Ekonomisë dhe Inovacionit. Ministria, Operatori dhe shoqëritë shtetërore në likuidim ngarkohen me zbatimin e vendimit.
Krijimi i Operatorit synon t’i japë fund një problemi të mbartur prej vitesh me ndërmarrjet shtetërore që kanë pushuar aktivitetin ekonomik, por kanë vazhduar të ekzistojnë juridikisht për shkak të aseteve, detyrimeve, kërkesave për arkëtim dhe çështjeve të tjera të pazgjidhura.
Mes shoqërive që janë evidentuar në dokumentacionin dhe të dhënat që kanë shoqëruar procesin ligjor për mbylljen e ndërmarrjeve në likuidim janë “Albbakër” sh.a., “Albkrom” sh.a., “Albminiera” sh.a., “Prodhim Mobilje” sh.a., “Petrol Alba” sh.a., “Duhan-Cigare” sh.a., “Albkontroll” sh.a. në Durrës, “Superfosfat Kurbin” sh.a. dhe Qendra e Regjistrimit të Aksioneve.
Një auditim i Kontrollit të Lartë të Shtetit kishte evidentuar më herët në administrimin e Ministrisë së Ekonomisë nëntë shoqëri aksionare me kapital 100% shtetëror me status “në likuidim”: Petrol Alba, Albminiera, Albkrom, Albaker, ALBKONTROLL Durrës, Nxitja e Biznesit Social, Superfosfati Kurbin, Prodhim Mobilje Tiranë dhe Duhan Cigare Shkodër.
Ligji nr.79/2026 nuk e kufizon megjithatë zbatimin vetëm te një listë emërore kompanish. Ai zbatohet për shoqëritë tregtare ku shteti zotëron jo më pak se 51% të kapitalit dhe që ndodheshin në proces likuidimi në momentin e hyrjes së ligjit në fuqi. Shoqëritë që hyjnë në likuidim pas hyrjes në fuqi të ligjit vijojnë procedurat sipas legjislacionit të zakonshëm për tregtarët dhe shoqëritë tregtare.
Mekanizmi i ri parashikon që përpara mbylljes, secila shoqëri të kryejë një vlerësim të plotë ekonomiko-financiar. Raporti përfundimtar duhet të evidentojë detyrimet dhe kërkesat për arkëtim, përfshirë ato të parashkruara, pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme dhe dokumentacionin përkatës tekniko-ligjor. Pas këtij procesi, të drejtat dhe detyrimet transferohen te “Operatori i Shoqërive Shtetërore”.
Kjo do të thotë se kompanitë e vjetra mund të çregjistrohen nga Qendra Kombëtare e Biznesit, ndërsa problemet e mbetura financiare dhe pasurore nuk zhduken bashkë me to, por përqendrohen te një subjekt i vetëm shtetëror. Operatori do të marrë në administrim asetet dhe detyrimet e transferuara, do të ndjekë arkëtimin e kërkesave dhe shlyerjen e detyrimeve dhe do të administrojë procesin deri në përfundimin e tij.
Një aspek i rëndësishëm lidhet me borxhet e vjetra të këtyre shoqërive. Ligji parashikon që, gjatë procedurës së mbylljes, detyrimet debitore dhe kreditore të parashkruara, për të cilat rezulton se nuk ekzistojnë pretendime dhe kjo mbështetet në dokumentacion, të fshihen nga regjistrat kontabël. Ndërkohë, transferimi te Operatori nuk cenon të drejtën e kreditorëve dhe palëve të treta për të kërkuar përmbushjen e detyrimeve të tyre.
Me përfundimin e transferimit, asambletë e përgjithshme marrin vendimet për mbylljen përfundimtare të shoqërive dhe autorizojnë çregjistrimin e tyre në QKB. Në këtë moment përfundojnë edhe kompetencat e likuidatorëve dhe organeve ekzistuese të drejtimit.
Vetë “Operatori i Shoqërive Shtetërore” nuk konceptohet si një ndërmarrje e përhershme. Ligji përcakton se ai do të funksionojë deri në përfundimin e administrimit dhe shitjes së aseteve, arkëtimit të kërkesave dhe shlyerjes së detyrimeve të transferuara. Pas përfundimit të këtij procesi, edhe Operatori do t’i nënshtrohet procedurës së likuidimit./ekofin.al
