Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, u ka bërë thirrje të rinjve që të shohin nevojat dhe sfidat e Shqipërisë edhe si mundësi për të ndërtuar karrierën dhe për të krijuar vlerë në vend, përmes sipërmarrjes, shërbimeve, kërkimit shkencor apo institucioneve më të përgjegjshme.
Në fjalën e mbajtur në ceremoninë e diplomimit të studentëve të Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë, Guvernatori e vendosi theksin te roli që brezi i ri mund të luajë në zhvillimin ekonomik dhe institucional të vendit.
“Shqipëria ka nevojë për aftësitë, idetë dhe përkushtimin tuaj”, u shpreh Sejko, duke i ftuar të diplomuarit që nevojat e vendit t’i konsiderojnë edhe si hapësira ku mund të ndërtojnë “një biznes, një shërbim më të mirë, një projekt kërkimor apo një institucion më të përgjegjshëm”.
Mesazhi i Guvernatorit vjen në një moment kur të rinjtë, pas përfundimit të studimeve, përballen me zgjedhjen mes vazhdimit të arsimimit, hyrjes në tregun e punës apo nisjes së një aktiviteti sipërmarrës. Sejko nënvizoi se është normale që në këtë fazë të mos ekzistojnë të gjitha përgjigjet, ndërsa rëndësi ka që hapat e parë të ndërmerren me seriozitet dhe gatishmëri për të mësuar. Sipas tij, karriera ndërtohet gradualisht përmes përvojave, zgjedhjeve dhe punës së përditshme.

Një pjesë të rëndësishme të fjalës, Guvernatori ia kushtoi besimit dhe integritetit në jetën profesionale. Duke e lidhur mesazhin me funksionimin e ekonomisë, ai theksoi se, nga këndvështrimi i një bankieri qendror, besimi është themelor si për ekonominë dhe institucionet, ashtu edhe për karrierën individuale.
Sipas Sejkos, njohuritë mund të krijojnë mundësi profesionale, por janë serioziteti dhe integriteti ato që ndërtojnë marrëdhënie afatgjata. Për këtë arsye, të rinjtë duhet t’i kushtojnë reputacionit të tyre të njëjtën rëndësi që i kushtojnë ndërtimit të karrierës.
Guvernatori i inkurajoi gjithashtu të diplomuarit të marrin iniciativa dhe të mos presin momentin kur do të ndihen plotësisht të përgatitur për të hedhur një hap të ri profesional.
“Jepuni hapësirë ideve tuaja. Propozoni një zgjidhje, merrni përsipër një detyrë të vështirë, kërkoni një mundësi ku mund të zhvilloheni”, ishte mesazhi i tij, duke shtuar se një pjesë e rëndësishme e përgatitjes fitohet pikërisht gjatë punës.

Sejko vuri në dukje se puna e profesionistëve të rinj nuk ndikon vetëm në karrierën e tyre individuale. Cilësia e një shërbimi, drejtësia e një vendimi, saktësia e një analize apo suksesi i një sipërmarrjeje varen nga mënyra se si secili kryen detyrën e tij, çka i jep formimit profesional një rëndësi më të gjerë për ekonominë dhe shoqërinë.
Në të njëjtën kohë, Guvernatori nënvizoi se përgjegjësia nuk u takon vetëm të rinjve. Institucionet duhet të krijojnë hapësira ku aftësitë e tyre të zhvillohen dhe të vlerësohen. Ai veçoi rëndësinë e bashkëpunimit mes universiteteve dhe institucioneve, veçanërisht kur njohuritë akademike lidhen me probleme konkrete. Për Bankën e Shqipërisë, sipas Sejkos, dialogu me botën akademike dhe promovimi i edukimit financiar janë pjesë e kësaj marrëdhënieje.
Në përfundim, Guvernatori u kërkoi të diplomuarve të ruajnë dëshirën për të mësuar, besimin, integritetin dhe guximin për të marrë iniciativa, duke e konsideruar përfundimin e universitetit jo si fundin e formimit, por si nisjen e një etape të re profesionale.

