Qeveria ka përcaktuar një paketë të re rregullash për kujdesin alternativ të fëmijëve në familje, që shtrihet nga përzgjedhja dhe trajnimi i familjeve kujdestare deri te vendosja e fëmijës, monitorimi i vazhdueshëm dhe procedura e ankimit.
Sipas tri vendimeve, gjatë tre muajve të parë pas vendosjes në një familje kujdestare, fëmija do të monitorohet në mjedisin familjar të paktën një herë në dy javë. Pas kësaj periudhe, kontrolli do të bëhet të paktën një herë në muaj, ndërsa në rast rreziku mund të jetë edhe më i shpeshtë. Familjet që duan të ofrojnë këtë shërbim do të aplikojnë përmes portalit e-Albania dhe do t’i nënshtrohen verifikimit të kushteve ekonomike, shëndetësore, sociale dhe të integritetit, si dhe trajnimit të detyrueshëm përpara regjistrimit si familje kujdestare.
Tri aktet zbatojnë ligjin nr.92/2025 “Për kujdesin alternativ në familje në Republikën e Shqipërisë” dhe rregullojnë në mënyrë të detajuar tri hallka të sistemit: përzgjedhjen dhe vendosjen e fëmijëve në familje kujdestare, monitorimin e tyre dhe mekanizmin e ankimit.
Dy lloje kujdestarie, profesionale dhe vullnetare
Kujdesi alternativ ndahet në dy forma kryesore, profesional dhe vullnetar. Kujdesi profesional mund të jetë emergjent, afatshkurtër, afatgjatë ose i përhershëm deri në moshën madhore, i specializuar për fëmijë me nevoja komplekse, si dhe kujdes për vajza nëna me fëmijë ose vajza shtatzëna. Kujdesi vullnetar mund të ofrohet nga të afërm, persona të rrethit të ngushtë të njohur nga fëmija ose familje të tjera që shprehin vullnetin për të marrë përsipër këtë rol.
Për t’u miratuar, familjet duhet të kalojnë një vlerësim të gjerë. Ndër kushtet janë aftësia ligjore, gjendja e mirë shëndetësore, banesë e përshtatshme, mjete të mjaftueshme jetese dhe të ardhura të qëndrueshme, stabilitet familjar, aftësi prindërore dhe gatishmëri për të bashkëpunuar me institucionet. Nuk duhet të ketë anëtarë të familjes të dënuar për vepra penale dhe bëhen verifikime të posaçme edhe në Regjistrin Kombëtar të të Dënuarve për Krime Seksuale.
Aplikimi kryhet përmes e-Albania. Bashkia duhet të verifikojë paraprakisht dokumentacionin brenda 7 ditëve pune dhe më pas aplikuesi njoftohet për kalimin në fazën e vlerësimit ose refuzimin. Vlerësimi përfshin intervista me anëtarët e familjes, vizita në banesë, vlerësim social dhe psikologjik, gjendjen gjyqësore dhe shëndetësore, referenca nga komuniteti dhe verifikimin e kushteve të banimit. Procesi i vlerësimit duhet të përfundojë brenda 30 ditëve pune, me mundësi zgjatjeje me 15 ditë të tjera në raste të veçanta.
Familjet që vlerësohen pozitivisht duhet të kalojnë edhe një program bazë të detyrueshëm trajnimi. Vetëm përfundimi me sukses i tij dhe marrja e certifikatës mundësojnë regjistrimin si familje kujdestare. Familjet profesionale duhet të marrin edhe trajnime të specializuara për trauma, fëmijë me aftësi të kufizuara dhe nevoja komplekse, situata emergjente dhe menaxhimin e rasteve.
Rastet emergjente do të shqyrtohen brenda 24 orësh
Pranë çdo bashkie do të funksionojë një komision shumëdisiplinar, ku përfshihen strukturat sociale dhe të mbrojtjes së fëmijëve, juristi, psikologu, specialistë të arsimit dhe shëndetësisë dhe përfaqësuesi vendor i Policisë së Shtetit. Komisioni vendos për miratimin ose refuzimin e familjeve kujdestare, shqyrton dosjet e fëmijëve dhe përcakton formën e përshtatshme të kujdesit.
Dosja e një fëmije që propozohet për kujdes alternativ duhet të shqyrtohet brenda 5 ditëve pune. Për rastet emergjente, afati shkurtohet ndjeshëm: shqyrtimi duhet të bëhet menjëherë dhe jo më vonë se 24 orë nga referimi. Komisioni duhet të vlerësojë edhe përputhjen mes nevojave të fëmijës dhe profilit të familjes kujdestare.
Në parim, vendosja e fëmijës në familjen kujdestare realizohet pas vendimit të gjykatës. Por kur nevojitet mbrojtje e menjëhershme, fëmija mund të vendoset përkohësisht në një familje kujdestare profesionale të regjistruar, ndërsa çështja i dërgohet menjëherë gjykatës për miratim.
Edhe kohëzgjatja ndryshon sipas llojit të kujdesit. Kujdesi emergjent parashikohet deri në tre muaj, ai afatshkurtër deri në 12 muaj, ndërsa kujdesi afatgjatë mund të vijojë përtej 12 muajve dhe deri në moshën madhore kur rikthimi në familjen biologjike ose birësimi nuk janë të mundur. Për vajzat nëna me fëmijë ose vajzat shtatzëna parashikohet kujdes deri në 24 muaj, me mundësi rishikimi dhe zgjatjeje.
Monitorim çdo dy javë në tre muajt e parë
Një vendim i veçantë forcon kontrollin pas vendosjes së fëmijës. Për çdo rast do të hartohet një plan individual monitorimi, i cili duhet të rishikohet sa herë ndryshojnë rrethanat dhe, në çdo rast, të paktën një herë në tre muaj.
Gjatë tre muajve të parë monitorimi në familje duhet të kryhet të paktën një herë në dy javë. Më pas frekuenca minimale është një herë në muaj, ndërsa rishikimi i përgjithshëm i situatës së fëmijës duhet të bëhet brenda gjashtë javëve nga vendosja dhe më tej të paktën një herë në katër muaj.
Vizitat mund të jenë të njoftuara ose të panjoftuara. Monitorimi përfshin takime individuale me fëmijën, kontrollin e kushteve të familjes kujdestare dhe komunikimin me shkollat, institucionet shëndetësore dhe strukturat e tjera të përfshira. Kur është e mundur, fëmija duhet të dëgjohet veçmas nga familja kujdestare, në kushte që i garantojnë privatësi dhe liri për t’u shprehur.
Familjet kujdestare do të kenë gjithashtu detyrimin të raportojnë çdo muaj te strukturat vendore dhe të njoftojnë menjëherë kur ka dyshime për dhunë, abuzim, neglizhencë, shfrytëzim ose rrethana të tjera që rrezikojnë fëmijën.
Sistemi parashikon katër nivele risku: të ulët, të mesëm, të lartë dhe emergjent. Kur konstatohet risk i menjëhershëm, strukturat përgjegjëse duhet të ndërhyjnë pa pritur procedurat e zakonshme të monitorimit. Për problematikat që mund të cenojnë menjëherë jetën, shëndetin ose sigurinë e fëmijës, masat urgjente duhet të zbatohen menjëherë dhe, në çdo rast, brenda 24-48 orëve. Për probleme më pak urgjente vendosen afate prej 15 ose 30 ditësh, ndërsa masat strukturore mund të shtrihen në 60-90 ditë.
Fëmija mund të ankohet, edhe ankesat anonime pranohen në rast dhune
Hallka e tretë e paketës është mekanizmi i ankimit. Pranë çdo bashkie do të krijohet një Komision i Shqyrtimit të Ankesave, me pesë anëtarë, i cili duhet të jetë i pavarur nga personat që kanë marrë pjesë në vendimmarrjen e kundërshtuar. Fëmija mund të ankohet vetë ose përmes përfaqësuesit ligjor, punonjësit social, psikologut, mësuesit apo një organizate të shoqërisë civile.
Ankimi mund të bëhet brenda 30 ditëve kalendarike nga marrja dijeni për vendimin. Ankesa mund të paraqitet me shkrim, elektronikisht ose drejtpërdrejt para komisionit. Në përgjithësi nuk pranohen ankesa anonime, por vendimi bën një përjashtim të posaçëm kur pretendimet lidhen me dhunë, abuzim, neglizhim ose forma të tjera cenimi të të drejtave dhe interesit të fëmijës.
Vetë ankesa duhet të shqyrtohet brenda 15 ditëve kalendarike nga regjistrimi. Komisioni mund të mbledhë dokumente dhe prova, të dëgjojë palët dhe fëmijën dhe të kërkojë informacion nga institucionet e përfshira.
Në përfundim, komisioni mund të lërë në fuqi vendimin e ankimuar, ta anulojë, shfuqizojë ose ndryshojë plotësisht ose pjesërisht. Vendimi duhet t’u komunikohet palëve jo më vonë se tre ditë pas marrjes së tij, ndërsa fëmija, prindërit, të afërmit dhe palët me interes të ligjshëm ruajnë të drejtën për t’iu drejtuar më pas gjykatës administrative.
Të tria vendimet hyjnë në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare. Për familjet kujdestare që janë miratuar përpara rregullave të reja parashikohet edhe rishikimi i profilit dhe dokumentacionit të tyre brenda gjashtë muajve nga hyrja në fuqi e vendimit të ri./ekofin.al
