Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) ka miratuar rregulloren e re për regjistrimin dhe administrimin e emrave të domain-eve shqiptare “.al”, duke përcaktuar një kuadër të ri për regjistrimin, rinovimin, transferimin, pezullimin, bllokimin dhe fshirjen e tyre, por edhe për mbrojtjen e të dhënave personale dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.
Rregullorja është miratuar me vendimin nr. 18 të Këshillit Drejtues të AKEP, datë 9 shtator 2026, dhe mbulon domain-et “.al”, “.gov.al”, “.mil.al”, “.edu.al”, “.com.al”, “.org.al” dhe “.net.al”.
Megjithëse është miratuar dhe tashmë është publikuar nga AKEP, rregullorja nuk do të zbatohet menjëherë. Ajo parashikon shprehimisht se hyn në fuqi më 1 korrik 2027. Deri atëherë AKEP duhet të përshtatë sistemin teknik, të marrë vendimet për transferimin e domain-eve që aktualisht administrohen prej tij drejt regjistruesve të akredituar dhe të përcaktojë vlerat dhe afatet për regjistrimin e rinovimin, si dhe tarifën administrative për ankimet.
Me hyrjen në fuqi të kuadrit të ri do të shfuqizohet rregullorja nr. 2 e 21 shkurtit 2008, e ndryshuar, e cila ka rregulluar deri tani administrimin e domain-eve shqiptare.
Një nga parimet bazë të rregullores së re është “kush aplikon i pari, shërbehet i pari”. AKEP dhe regjistruesit nuk do të kryejnë paraprakisht verifikimin e të drejtave të mëparshme mbi një emër, ndërsa përgjegjësia që domain-i i zgjedhur të mos cenojë markat tregtare, emrat tregtarë apo të drejta të tjera të palëve të treta i mbetet aplikuesit.
Domain-et “.al”, “.com.al”, “.org.al” dhe “.net.al” mund të regjistrohen nga persona juridikë publikë ose privatë, persona fizikë që ushtrojnë aktivitet tregtar dhe individë. Rregullorja përcakton gjithashtu se zotërues mund të jetë një subjekt shqiptar ose i huaj dhe nuk vendos kufizim për numrin e domain-eve që mund të ketë një subjekt.
Për “.edu.al” vendosen rregulla të posaçme. Këto adresa rezervohen për institucionet e sistemit arsimor, shkencor dhe edukativ në Shqipëri dhe emri duhet të përputhet plotësisht ose pjesërisht me emrin e institucionit apo projektit, ose të ketë një lidhje të qartë dhe të dokumentueshme me veprimtarinë e aplikuesit. Institucionet private duhet të paraqesin edhe kopjen e licencës për ushtrimin e aktivitetit.
Ndërkohë, “.gov.al” mbetet i rezervuar për institucionet shtetërore dhe “.mil.al” për strukturat e Forcave të Armatosura. Për këto dy kategori, AKEP do të jetë regjistruesi i vetëm. Kërkesat për regjistrim, transferim, modifikim apo mbyllje do të mund të paraqiten në format elektronik ose shkresor, ndërsa regjistrimi do të kryhet pas verifikimit të dokumentacionit dhe pagesës.
Afati i trajtimit të kërkesave për “.gov.al” dhe “.mil.al” do të jetë deri në tre ditë pune nga paraqitja e të dhënave të plota. Në rast mangësish, aplikuesi do të ketë deri në tre ditë pune për korrigjimin e tyre dhe këtë mundësi do ta ketë vetëm një herë. Gjatë këtij afati emri mbahet i rezervuar dhe nuk mund të merret nga një aplikues tjetër.
Rregullorja vendos edhe rregulla të qarta për mënyrën se si mund të ndërtohet një domain. Për emrat standardë lejohen shkronjat e alfabetit latin “a-z”, shifrat 0-9 dhe shenja lidhëse “-”. Nuk lejohen emra me vetëm një karakter, emra që fillojnë ose përfundojnë me “-”, emra me më shumë se 63 karaktere apo kombinime të caktuara teknike të rezervuara.
Një risi është parashikimi i domain-eve të ndërkombëtarizuara, IDN, të cilat mundësojnë përdorimin edhe të karaktereve të tjera, përfshirë “ç” dhe “ë”. Megjithatë, regjistrimi i tyre do të bëhet i mundur vetëm pasi AKEP të ketë siguruar infrastrukturën teknike përkatëse.
Domain-i mund të regjistrohet për një periudhë nga 1 deri në 10 vjet.
Rregullorja krijon një ndarje të qartë mes emrave të ndaluar dhe atyre të rezervuar. AKEP do të mbajë dhe përditësojë listat përkatëse dhe do t’i publikojë ato në faqen zyrtare.
Mes emrave që nuk mund të regjistrohen përfshihen ata që bien ndesh me rendin apo moralin publik, përmbajnë elemente fyese, diskriminuese, raciste ose nxitëse të urrejtjes, lidhen me veprimtari të paligjshme, krim, mashtrim ose terrorizëm, krijojnë konfuzion me institucionet shtetërore pa autorizim apo paraqesin rrezik për sigurinë kombëtare. AKEP mund të refuzojë edhe emra që nuk ndodhen shprehimisht në listë, por bien ndesh me parimet e përcaktuara nga rregullorja.
Në kategorinë e emrave të rezervuar përfshihen emrat e institucioneve dhe funksioneve publike, emrat gjeografikë të qyteteve, rajoneve, territoreve dhe ndarjeve administrative, emra me rëndësi publike, historike ose kulturore, si dhe emra të lidhur me funksionimin teknik të internetit, si “al”, “nic”, “ns”, “dns”, “www”, “web” apo “whois”. Regjistrimi i tyre kërkon miratim paraprak nga AKEP.
Rregullorja trajton posaçërisht edhe regjistrimet abuzive. Një domain mund të konsiderohet i tillë kur është identik ose aq i ngjashëm sa krijon konfuzion me një të drejtë të mëparshme, kur zotëruesi nuk ka të drejtë apo interes legjitim mbi emrin dhe kur regjistrimi ose përdorimi është bërë në keqbesim.
Si raste keqbesimi përmenden regjistrimi me synim shitjen ose dhënien me qira për përfitim financiar, pengimi i ushtrimit të një të drejte të mëparshme, dëmtimi i një konkurrenti apo mashtrimi i përdoruesve. Nëse konstatohet një regjistrim abuziv, AKEP mund të vendosë fshirjen ose transferimin e domain-it te pala që zotëron të drejtën.
Për regjistrimin do të kërkohen të dhëna të detyrueshme identifikuese. Për subjektet juridike përfshihen emri, NUIS/NIPT, adresa postare, email-i dhe numri i telefonit të kontaktit administrativ. Për individët mbi 18 vjeç kërkohen emri dhe mbiemri, datëlindja, numri personal i identifikimit, adresa postare, email-i, telefoni dhe, sipas rastit, të dhënat e kontaktit administrativ.
AKEP fiton të drejtën të nisë në çdo kohë verifikimin e saktësisë së këtyre të dhënave. Kur konstatohen mangësi, zotëruesi ka 10 ditë kalendarike për t’i korrigjuar. Nëse kjo nuk ndodh, domain-i mund të pezullohet deri në 30 ditë dhe më pas të bllokohet për një periudhë tjetër deri në 30 ditë. Nëse mangësitë vazhdojnë edhe pas këtij afati, AKEP mund ta fshijë domain-in.
Një dallim i rëndësishëm bëhet mes pezullimit dhe bllokimit. Pezullimi ndalon veprimet administrative mbi domain-in, por nuk ndikon në funksionimin teknik të tij. Bllokimi, përkundrazi, çaktivizon funksionimin në DNS dhe ndalon çdo veprim mbi domain-in.
Bllokimi mund të kryhet në bazë të një vendimi gjyqësor, në kuadër të procedurave administrative të AKEP, për domain-et pa regjistrues ose me kërkesë të arsyetuar të autoriteteve kompetente. Në rastin e fundit, ndërhyrja në DNS duhet të mbështetet në ligjin sektorial dhe në një rrezik të drejtpërdrejtë për interesin publik, si siguria kombëtare, përmbajtje e paligjshme ose e dëmshme për të miturit, nxitja e urrejtjes apo dhunës dhe mashtrimi financiar. Masa duhet të jetë e nevojshme dhe proporcionale.
Rregullorja përcakton gjithashtu procedurën pas skadimit të një domain-i. Parashikohet një periudhë tolerance prej 30 ditësh, gjatë së cilës zotëruesi mund ta rinovojë atë. Nëse rinovimi nuk kryhet brenda afatit, emri bëhet i disponueshëm për regjistrim nga subjekte të tjera.
Transferimi vullnetar nga një zotërues te një tjetër lejohet me pëlqimin e palëve, por jo brenda 60 ditëve nga regjistrimi ose transferimi i fundit. Transferimi refuzohet nëse të dhënat janë të paplota ose ekzistojnë detyrime financiare të pashlyera.
Zotëruesi mund të ndryshojë edhe kompaninë regjistruese. Ky ndryshim kushton një kredit për regjistruesin pritës dhe shoqërohet me zgjatjen e vlefshmërisë së domain-it me një vit. Regjistruesi nuk mund të ndryshohet pa kaluar 60 ditë nga regjistrimi fillestar, transferimi i mëparshëm ose ndryshimi i zotëruesit.
Në rast se një regjistrues humbet akreditimin, falimenton ose ndërpret aktivitetin, domain-i konsiderohet “orphan domain”. Zotëruesi ka 90 ditë nga njoftimi për të zgjedhur një regjistrues të ri. Kur akreditimi është revokuar, kalimi drejt një regjistruesi tjetër aktiv parashikohet pa pagesë.
Kuadri i ri përcakton edhe një procedurë të detajuar ankimimi. Çdo palë e interesuar mund të ankohet në AKEP për saktësinë e të dhënave, regjistrimin në kundërshtim me rregulloren, refuzimin, bllokimin ose fshirjen e domain-it, cenimin e të drejtave të mëparshme apo përdorimin e paligjshëm.
Për shqyrtimin administrativ do të paguhet një tarifë, që do të përcaktohet më vete nga Këshilli Drejtues. AKEP ka 60 ditë për shqyrtimin. Vendimi mund të ankimohet brenda 30 ditëve në Këshillin Drejtues dhe paraqitja e ankimit pezullon ekzekutimin e vendimit. Këshilli Drejtues ka 30 ditë për shqyrtimin, ndërsa vendimi përfundimtar mund të kundërshtohet në gjykatë brenda 45 ditëve.
Një pjesë e rëndësishme e rregullores i kushtohet privatësisë. Të dhënat e zotëruesve në regjistrin elektronik konsiderohen konfidenciale. Ato mund t’u jepen autoriteteve kompetente kur ekziston një bazë ligjore dhe kërkesa lidhet me një procedurë konkrete, si hetim penal, hetim administrativ apo incident kibernetik. AKEP dhe regjistruesit duhet t’u përgjigjen këtyre kërkesave brenda 72 orëve.
Rregullorja parashikon gjithashtu kalimin drejt shërbimit RDAP – Registration Data Access Protocol. Publikisht do të shfaqen vetëm të dhëna minimale teknike, si emri dhe statusi i domain-it, datat e regjistrimit, përditësimit dhe skadimit, emri i regjistruesit dhe serverët DNS. Të dhënat identifikuese dhe të kontaktit të zotëruesit nuk do të publikohen.
Përdorimi i të dhënave të RDAP për marketing, spam apo mbledhje masive pa autorizim ndalohet. Shërbimi do të aktivizohet pasi AKEP të përfundojë implementimin teknik dhe data do të njoftohet zyrtarisht.
Rregullat ndryshojnë edhe për kompanitë që duan të veprojnë si regjistrues të domain-eve “.al”. Ato duhet të ushtrojnë aktivitet në teknologjinë e informacionit dhe komunikimet elektronike, të jenë aktive në QKB dhe të kenë në objektin e aktivitetit “regjistrimin e domaineve”. Gjithashtu duhet të kenë të paktën një punonjës të diplomuar në fushën e teknologjisë së informacionit, përgjegjës për domain-et “.al”, dhe të mos jenë në procedurë falimentimi ose likuidimi.
Për akreditimin kërkohet edhe dokumentacion për punonjësin teknik dhe provë për caktimin e nëpunësit për mbrojtjen e të dhënave personale.
Regjistruesi i ri duhet të blejë fillimisht të paktën 1,000 kredite, ndërsa çdo rimbushje e mëvonshme duhet të jetë të paktën 500 kredite. Regjistrimi ose rinovimi i një domain-i për një vit do të kushtojë një kredit. Vlera monetare e kreditit, tarifa vjetore dhe shpenzimet e akreditimit do të caktohen me vendim të veçantë të Këshillit Drejtues të AKEP.
Kompanitë regjistruese do të kenë të drejtë të vendosin vetë çmime konkurruese për klientët. Ato duhet t’i publikojnë qartë tarifat në faqet e tyre dhe t’i ndajnë nga kostot e shërbimeve të tjera.
Faqja e regjistruesit duhet të jetë aktive, të përdorë domain “.al”, të ketë seksion në shqip për domain-et shqiptare, të publikojë rregulloren, listën e emrave të ndaluar dhe të rezervuar, tarifat dhe të ofrojë kërkim për disponueshmërinë e domain-eve. Regjistruesit duhet gjithashtu të raportojnë çdo vit pranë AKEP, deri më 1 mars, mbi problematikat e hasura dhe tarifat e aplikuara.
Mosrespektimi i detyrimeve mund të sjellë paralajmërim, pezullim dhe, në rast shkeljesh të përsëritura ose të rënda, revokimin e akreditimit. Nëse një regjistrues nuk shlyen për më shumë se tre muaj detyrimet financiare ndaj regjistrit, AKEP fiton të drejtën t’i revokojë akreditimin.
Në tërësi, rregullorja e re ndërton një sistem ku AKEP ruan rolin e regjistrit qendror dhe kontrollit rregullator, ndërsa pjesa më e madhe e marrëdhënies me qytetarët dhe bizneset për domain-et “.al”, “.com.al”, “.net.al”, “.org.al” dhe “.edu.al” kalon përmes regjistruesve të akredituar. Përjashtim mbeten “.gov.al” dhe “.mil.al”, të cilat do të vazhdojnë të regjistrohen drejtpërdrejt nga AKEP.
Ndryshimi do të materializohet më 1 korrik 2027, kur rregullorja e re hyn në fuqi dhe shfuqizohet kuadri i vitit 2008. Deri atëherë, AKEP duhet të përfundojë infrastrukturën teknike dhe të miratojë vendimet plotësuese që do të përcaktojnë tarifat, kreditë dhe elementët e tjerë financiarë të sistemit të ri./ekofin.al
