Shqipëria ka mbyllur praktikisht hendekun me Bashkimin Evropian në mbulimin e popullsisë me rrjet 4G, duke e rritur këtë tregues nga vetëm 38% në periudhën 2014-2016 në pothuajse 100% në 2023-2024. Përmirësimi është ndër më të fortët e regjistruar në infrastrukturën digjitale të Ballkanit Perëndimor gjatë dekadës së fundit, sipas raportit të OECD-së.
OECD e konsideron mbulimin me të paktën rrjet 4G si një nga kushtet bazë që u mundëson bizneseve dhe individëve të përdorin mjete dixhitale dhe të marrin pjesë në ekonominë dixhitale. Në këtë tregues, Shqipëria ka kaluar nga një hendek i konsiderueshëm një dekadë më parë në një nivel tashmë pothuajse të barabartë me mesataren evropiane.
Përmirësimi i Shqipërisë ka qenë pjesë e një zgjerimi të shpejtë të infrastrukturës së telefonisë së lëvizshme në të gjithë rajonin. Mesatarja e Ballkanit Perëndimor është rritur nga 58% e popullsisë në 2014-2016 në 99.3% në 2023-2024, duke arritur tashmë nivelin mesatar të Bashkimit Evropian. OECD e cilëson këtë si konvergjencën më të fortë ndër të gjithë treguesit e klasterit të Infrastrukturës dhe Lidhshmërisë.
Brenda rajonit, përmirësimi ka qenë veçanërisht i fortë në Shqipëri dhe Bosnjë-Hercegovinë. Në këtë të fundit, rrjetet 4G ende nuk ishin vendosur në periudhën 2014-2016, ndërsa mbulimi arriti në 98% të popullsisë në 2023-2024. Shqipëria, ndërkohë, u rrit nga 38% në gati 100%, duke hyrë në grupin e ekonomive të rajonit që tashmë kanë pothuajse mbulim universal.
Sipas raportit, OECD e vlerëson performancën e mbulimit 4G në 100.1% të nivelit mesatar të BE-së në 2023-2024, nga 44% e nivelit evropian në 2014-2016. Kjo përfaqëson një përmirësim prej 56.1 pikësh në indeksin relativ të konvergjencës.
OECD ia atribuon përparimin e rajonit kryesisht investimeve të qëndrueshme private në zgjerimin e rrjeteve mobile. Për Shqipërinë, përmirësimi i 4G-së është një nga dy zhvillimet kryesore pozitive që raporti veçon në klasterin e infrastrukturës dhe lidhshmërisë, së bashku me uljen e kostos së energjisë për konsumatorët jo-familjarë.
Rezultati është veçanërisht i rëndësishëm sepse infrastruktura dhe lidhshmëria mbeten në tërësi fusha ku Shqipëria ka ende hendek të madh me BE-në. Vendi renditet i fundit në Ballkanin Perëndimor në këtë klaster, kryesisht për shkak të dobësive në infrastrukturën rrugore dhe hekurudhore. Për këtë arsye, 4G është një nga fushat ku konvergjenca me BE-në është realizuar pothuajse plotësisht.
Në terma praktikë, mbulimi pothuajse universal me 4G zgjeron bazën infrastrukturore për përdorimin e shërbimeve online, tregtisë elektronike, shërbimeve publike dixhitale dhe mjeteve të reja teknologjike nga bizneset dhe individët. Vetë OECD e trajton mbulimin e rrjetit celular si parakusht për pjesëmarrjen në ekonominë digjitale. /ekofin.al

