Periudha e kujdesit si ndihmës personal i personave me aftësi të kufizuara do të njihet si periudhë sigurimi për përfitimin e pensionit të pleqërisë dhe barrëlindjes. Procedurat për verifikimin e përfituesve, deklarimin dhe pagesën e kontributeve shoqërore e shëndetësore janë përcaktuar në një udhëzim të ri të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, të botuar sot në Fletoren Zyrtare.
Udhëzimi nr. 701, datë 24 shtator 2026, plotëson udhëzimin e vitit 2022 për programin e mbrojtjes së veçantë nga shteti për gratë e papuna me tre apo më shumë fëmijë deri në moshën 18 vjeç, duke shtuar një kapitull të posaçëm për ndihmësit personalë. Akti hyn në fuqi me botimin në Fletoren Zyrtare dhe i shtrin efektet nga data 1 tetor 2026.
Sipas përcaktimeve të tij, njohja e periudhës së sigurimit përfshin ndihmësit personalë të personave me aftësi të kufizuara të kategorive të parashikuara në shkronjat “b” dhe “c” të nenit 8 të ligjit për asistencën sociale, si dhe ndihmësit personalë të përfituesve sipas nenit 5 të ligjit për statusin e të verbrit.
Për përfitimin e kontributeve do të verifikohet që ndihmësi personal nuk është ekonomikisht aktiv, nuk është i vetëpunësuar dhe nuk është subjekt i sigurimit shoqëror e shëndetësor. Kontrolli do të bëhet përmes ndërveprimit të Regjistrit Elektronik Kombëtar të Aftësisë së Kufizuar me sistemet e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe Institutit të Sigurimeve Shoqërore.
Njësitë administrative do t’u përcjellin çdo muaj bashkive listën e ndihmësve personalë të verifikuar. Bashkitë do të kenë përgjegjësinë për deklarimin dhe pagesën e kontributeve, duke hapur dhe regjistruar pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit një NIPT sekondar për këtë qëllim.
Brenda datës 20 të çdo muaji pasardhës, bashkia duhet të përgatisë listëpagesën e kontributeve shoqërore dhe shëndetësore, ta dërgojë pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe të kryejë pagesën sipas legjislacionit në fuqi.
Udhëzimi parashikon edhe një procedurë alternative kur verifikimi përmes sistemeve elektronike nuk është i mundur dhe kjo njoftohet nga Shërbimi Social Shtetëror. Në këto raste, strukturat përgjegjëse të bashkisë do të kontrollojnë përmbushjen e kushteve në bazë të vërtetimit elektronik të lëshuar përmes portalit e-Albania. /ekofin.al
