Nën masa të rrepta sigurie dhe me një perimetër të gjerë mbrojtjeje, ekspertë të specializuar kanë mbërritur në Porto Romano të Durrësit për të marrë mostrat e mbetjeve të dyshuara toksike, të depozituara prej një viti në këtë zonë industriale.
Procesi i marrjes së kampionëve po zhvillohet me kujdes maksimal, pasi dyshohet se për shkak të qëndrimit të gjatë, mbetjet mund të jenë ngurtësuar, duke e bërë procedurën më të ndërlikuar dhe potencialisht të rrezikshme për personelin teknik.
Sipas burimeve zyrtare, mostrat do të dërgohen për analiza të detajuara në një laborator të specializuar në Itali, për të përcaktuar përbërjen kimike dhe nivelin e mundshëm të toksicitetit të tyre.
Në total bëhet fjalë për rreth 2,100 tonë mbetje, të depozituara në 102 konteinerë të sekuestruar me urdhër të Prokurorisë nga kompania “Kurum”, pas kthimit të tyre në Portin e Durrësit. Kontejnerët ndodhen të magazinuar në venddepozitimin e Porto Romanos, në afërsi të zonës së njohur si “EkoParku”.
Sipas informacioneve që Ekofin.al ka mësuar nga burime pranë Prokurorisë, mungesa e ekspertëve të licencuar për të marrë mostrat ka qenë arsyeja kryesore që ka mbajtur pezull hetimet për gati një vit. Vetëm pas mbërritjes së ekipit të specializuar është bërë i mundur nisja e këtij procesi teknik, i cili pritet të ndihmojë hetuesit të përcaktojnë nëse mbetjet përbëjnë rrezik për mjedisin dhe shëndetin publik.

