Sistemi bankar ka kontribuuar në një rritje të shpejtë të kredisë për ekonominë, nga niveli 7% i PBB-së në vitin 2002, në nivelin 30% të PBB-së në vitin 2023. Kështu u shpreh Guvernatori i Bankës së Shqipërisë në aktivitetin e 25-vjetorit të Shoqatës Shqiptare të Bankave. Ky aktivitet bëri bashkë një sërë aktorësh të cilët përfaqësojnë sektorin, qeverinë, biznesin dhe ekspertët, nga ku u pasqyruan sfidat, arritjet e deritanishme dhe vizioni për të ardhmen.
Sejko vuri në dukje se gjatë këtyre viteve sistemi bankar ka qenë mbështetës e iniciator i shumë nismave, duke i hapur rrugë adoptimit të standardeve që përcaktojnë tashmë bankingun modern në Shqipëri.
“Shërbimet e ofruara klientëve u revolucionarizuan, bankat zgjeruan ndjeshëm shtrirjen e tyre, duke ofruar gjithnjë e më shumë produkte e shërbime bankare e financiare që dikur konsideroheshin përtej fushës së veprimit të bankingut tradicional”, tha Guvernatori.
Sejko theksoi se, sektori bankar shqiptar i ka ofruar ekonomisë një gamë të gjerë e në rritje instrumentesh pagesash, të cilat mundësojnë lëvizjen eficiente të likuiditetit e të kapitalit në ekonomi.
