Komisioni për Politikën e Jashtme i Kuvendit ka miratuar me votë unanime marrëveshjen për njohjen e pensioneve me Italinë. Në mbledhjen Komisionit të Politikës së Jashtme, zhvilluar këtë të hënë në kryesinë e Kuvendit, ishte zëvendësministrja e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Olta Manjani që paraqiti nismën. Sipas saj, kjo marrëveshje kujdeset që të gjithë qytetarët shqiptarë dhe ata italianë të kenë trajtim të barabartë, pavarësisht vendit ku jetojnë.
“Projektligji që paraqesim sot është një garanci shtesë për qytetarët e të dy vendeve tona. Pr/ligji garanton që asnjë qytetar nuk humbet asnjë ditë kontribute, pavarësisht vendit ku ka punuar, duke mundësuar kështu plotësimin e kushteve ligjore për përfitimin e pensionit në të dyja vendet”, tha Manjani.
Shqipëria nga 2005 deri më sot ka nënshkruar marrëveshje në fushën e sigurimeve shoqërore me Turqinë, Belgjikën, Hungarinë, Luksemburgun, Çekinë, Maqedoninë e Veriut, Gjermaninë, Austrinë, Bullgarinë, Kanadanë, Kosovën dhe Konfederatën e Zvicrës. Pritet të hyjë në fuqi dhe marrëveshjet me Malin e Zi, Kroacinë e Bullgarinë. Në proces janë marrëveshjet me Poloninë, Spanjën dhe Serbinë. Kanë shprehur dakordësi për fillimin e negociatave vende si Sllovenia, Danimarka, Moldavia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
