Pas Thethit, aksioni për lirimin e hapësirave publike është shtrirë edhe në Parkun Kombëtar të Valbonës. Prej 3 ditësh, fadromat e IKMT-së kanë zbritur në terren dhe po prishin objekte pa leje, mes tyre bujtina prej druri, por edhe objekte me strukturë betoni.
Në këto pamje mund të shihni momente nga aksioni dhe ndërtesat pa leje të rrafshuara nga IKMT. Deri tani, 3 objekte janë shembur nga IKMT, 16 struktura druri po çmontohen nga vetë banorët, 3 të tjera mbeten ende në listë.
Aksioni i ditës së sotme ka përfshirë tre bujtina druri të ndërtuara nga banorët vendas, pranë hyrjes së Parkut Kombëtar të Valbonës. Sipas të dhënave zyrtare, në total janë evidentuar 22 objekte të paligjshme, ndërsa deri tani janë shembur 15 prej tyre.
Ndryshe nga Thethi, ku pati përplasje mes banorëve dhe forcave të rendit, në Valbonë një pjesë e pronarëve të bujtinave kanë zgjedhur të bashkëpunojnë. Ata kanë nisur vetë çmontimin e ndërtimeve, duke shmangur konfliktin me autoritetet.
Por reagimet e banorëve janë të ndara.Një pjesë shprehen të pakënaqur, duke thënë se këto ndërtime janë investime të tyre dhe burimi kryesor i të ardhurave nga turizmi.
Kjo është ndërhyrja e dytë në zonat e mbrojtura, pas shembjeve masive në Theth, gjatë muajit korrik. Aksioni në Theth u shoqërua me një sërë kritikash nga kryeministri Rama për shkak të 12 kabinave pa leje të ngritura në zemër të Thethit, përballë Kishës simbol të zonës. IKMT ka paralajmëruar se operacionet për lirimin e hapësirave publike do të shtrihen në të gjithë vendin./Shqiptarja.com

