Ministri i Financave, Ervin Mete, foli sot në Kuvend për ligjin për tatimin e profesioneve të lira. Ligji për tatimin e profesioneve të lira është dërguar në gjykatë nga opozita me argumentin se bie ndesh me Kushtetutën. Seanca e parë pritet të zhvillohet në datën 21 maj.
Lidhur me këtë ministri Mete tha gjatë seancës plenare se ligji është përpunuar nga ekspertët më të mirë dhe se sjell standarde ndërkombëtare në sistemin tonë tatimor.
Ervin Mete: Tej pozicioneve politike, taksimi i profesionistëve që ofrojnë shërbime apo i të vetëpunësuarve që ofrojnë shërbime profesionale vendos më tepër drejtësi e ndershmëri në sistem sepse në thelb ai është taksim i të ardhurave nga punësimi dhe qoftë me standard e qoftë me parime të ardhurat e një kategorie të caktuar pavarësisht nga forma juridike si i punësuar apo si i vetëpunësuar duhet të ketë një tatim në mos të njëllojtë, të ngjashëm. Ligji i ri sjell standarde ndërkombëtare ne sistemin tonë tatimor, është përpunuar nga ekspertët më të mirë.
