Administrata Tatimore vijon zbatimin e Planit Operacional të Turizmit, duke intensifikuar kontrollet në zonat bregdetare dhe duke ndëshkuar subjektet që nuk respektojnë ligjin.
Gjatë një kontrolli të kryer në Qarkun e Durrësit, inspektorët e Tatimeve konstatuan një sërë shkeljesh në një subjekt që operon në fushën e shërbimeve. Sipas njoftimit zyrtar, u evidentuan raste të moslëshimit të faturave tatimore, mbajtjes së mallrave pa faturë shoqëruese, mosfunksionimit të kasës fiskale dhe mungesës së dokumentacionit tatimor.
Hetimi i ushtruar nga Tatimet tregoi gjithashtu se vetëm në shtatë muajt e parë të vitit 2025, subjekti kishte fshehur të ardhura në vlerën e 20 mijë eurove, duke shmangur kështu detyrimet që i takojnë buxhetit të shtetit.
“Administrata Tatimore apelon për respektim të ligjit nga të gjithë operatorët, me qëllim shmangien e pasojave të rënda administrative dhe penale që burojnë nga këto shkelje,” thuhet në njoftimin zyrtar, ku theksohet se fushata #zerotolerancë do të vijojë me të njëjtin intensitet në gjithë vendin.
Raste të tjera të ngjashme
Kontrollet e fundit nuk janë të izoluara. Vetëm pak ditë më parë, një operator turistik në Kavajë u gjobit nga Administrata Tatimore pas konstatimit të shkeljeve të ngjashme në fushën e faturimit dhe dokumentacionit tatimor. Ndërkohë, në kryeqytet, një restorant u gjend në shkelje të rëndë pasi u zbulua evazion fiskal në vlerën e 585 mijë eurove, duke u konsideruar si një nga rastet më flagrantë të këtij sezoni turistik./ekofin.al

