Trendi i rritjes së numrit të turistëve të vitit të kaluar, po vijon edhe këtë vit gjë që vihet re që në muajt e parë. Të dhënat zyrtare të Institutit të Statistikave për strukturat akomoduese në shkurt tregojnë se numri i të huajve në hotele u rrit ndjeshëm në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
“Në muajin Shkurt 2024, treguesit e shfrytëzimit të kapaciteteve të strukturave akomoduese, paraqiten si më poshtë: Numri i vizitorëve gjithsej është rritur me 23,7 %, në krahasim me Shkurt 2023. Treguesit e tjerë paraqiten si më poshtë: numri i vizitorëve rezident ka rënë me 7,2 %; numri i vizitorëve jo-rezident është rritur me 58,0 %” thuhet në publikimin e INSTAT.
Turistët po vijnë në numër më të lartë, por ndërkohë po qëndrojnë edhe më gjatë në Shqipëri të paktën nëse i referohemi publikimit mbi strukturat akomoduese në shkurt.
“Numri i netë qëndrimeve gjithsej është rritur me 53,2 %, në krahasim me Shkurt 2023. Të njëjtën ecuri ndjekin edhe dy treguesit e mëposhtëm: numri i netë qëndrimeve nga rezident është rritur me 18,2 %; numri i netë qëndrimeve nga jo-rezident është rritur me 83,6 %” vlerëson INSTAT.
Sa i takon vizitorëve gjatë muajit Shkurt 2024, është shënuar rritje e numrit të tyre gjithsej me 23,7 %, krahasuar me Shkurt 2023.
