Banka Amerikane e Investimeve (ABI) ka shënuar performancën më të lartë të kthimit të kapitalit në sektorin bankar gjatë gjysmës së parë të vitit 2025, me një normë Return on Equity (RoE) prej 33.93%. Ky tregues e vendos bankën në krye për efikasitetin e përdorimit të kapitalit dhe aftësinë për të gjeneruar fitim nga burimet e saj, duke konfirmuar strategjinë e suksesshme të menaxhimit financiar dhe orientimit të investimeve.
Në fund të qershorit 2025, asetet totale të ABI arritën në 145.03 miliardë lekë, duke zënë rreth 6.7% të tregut bankar në Shqipëri. Portofoli i kredive neto u vlerësua në 66.02 miliardë lekë (7.5% e totalit të sistemit), duke reflektuar një fokus të qëndrueshëm në financimin e ekonomisë reale dhe mbështetjen e bizneseve e individëve.
Nga ana e investimeve, ABI ka një pozicion të rëndësishëm në titujt e Qeverisë së Shqipërisë, me një portofol prej 58.34 miliardë lekësh (6.8% e tregut bankar), duke treguar një strategji të balancuar midis kreditimit dhe investimeve të sigurta e me risk të ulët.
Sa i përket depozitave, totali arriti në 109.81 miliardë lekë, që përfaqëson 6.1% të gjithë depozitave të sektorit bankar, duke dëshmuar besimin e klientëve në stabilitetin dhe ofertat financiare të bankës. Edhe gjatë muajve të verës, banka ka prezantuar oferta konkurruese për depozitat me afate të ndryshme.
Në 6-mujorin e parë të vitit, ABI gjeneroi një fitim neto prej 2.11 miliardë lekë, duke patur gjithashtu edhe normën RoA më të lartë në treg prej 2.96%, tregues për efikasitetin e përdorimit të aseteve.
Orientimi strategjik dhe drejtimi ekzekutiv
Historikisht, Banka Amerikane e Investimeve është e orientuar kryesisht drejt kreditimit të biznesit të vogël dhe të mesëm, ka mbështetur edhe një sërë projektesh të rëndësishme korporative, pa lënë mënjanë financimin e individëve, si dhe ruajtjen e një raporti të shëndetshëm midis kredive dhe investimeve në tituj të borxhit të Qeverisë. Roli i CEO-së, Andi Ballta, ka qenë kyç në suksesin e bankës, duke udhëhequr strategjitë e zhvillimit dhe menaxhimin e kujdesshëm të riskut, si dhe në forcimin e pozitës së ABI si një prej institucioneve më efikase dhe më të besueshme financiare në vend.
Sistemi bankar në shifra – Qershor 2025
Sipas të dhënave zyrtare të raportuara nga Shoqata Shqiptare e Bankave (AAB) mbi bazën e standardeve ndërkombëtare të raportimit financiar (IFRS), në 30 qershor 2025:
· Asetet totale të sistemit bankar arritën në 2.16 trilion lekë.
· Portofoli i kredive neto ishte 874.88 miliardë lekë.
· Investimet në tituj u vlerësuan në 860.04 miliardë lekë.
· Depozitat në total ishin 1.79 trilion lekë.
· Fitimi neto kumulativ i sektorit arriti në 17.70 miliardë lekë, me një ROE mesatar prej 16.69% dhe ROA mesatar prej 1.66%.
Në këtë panoramë të tregut bankar, rezultatet e ABI Bank për 6-mujorin e parë të vitit e pozicionojnë atë si një nga bankat më efikase dhe më të orientuara drejt gjenerimit të fitimeve të larta në raport me kapitalin e saj.

