Shqipëria prezantohet në panairin “VinItaly”, që po mbahet në Verona të Italisë, me prodhuesit më të mirë të verës, të cilët ekspozuan verërat “Made in Albania”, tashmë marka të njohura në tregun ndërkombëtar, ku eksportojnë prej vitesh.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj ndau në rrjete sociale, momente nga stenda shqiptare në këtë panair, ku Shqipëria prezantohet me 40 etiketa verërash.
““VinItaly” 2024, Verona Itali, një panair prestigjioz i verës dhe kantinave të Europës e gjithë botës, ku 40 etiketa të verës shqiptare po ekspozohen gjatë datave 14 deri në 17 prill, mes njohësve, ekspertëve dhe dashamirësve të verës nga tregjet elitare”, shkroi Denaj.
Ajo u shpreh se përmes këtyre aktiviteteve ndërkombëtare synohet të mbështetet prodhimi vendas i verës dhe të nxitet sektori drejt standardeve më të mira.
