Ministria e Financave ka publikuar lista të reja për përfituesit e dëmshpërblimit finnaciar të ish të përndjekurve politikë. Sipas njoftimeve të faqen zyrtare të Financave bëhet fjalë për përfitues të mundshëm të këstit të dytë, të tretë dhe të katërt. Ende nuk kanë përfunduar pagesat për këto kategori për këstin e katërt, në mënyrë që të realizohet buxhetimi dhe të vijohet me këstet e tjera. Procesi, i nisur prej vitesh, po ecën me ritme të ngadalta, ndërkohë që të shumta janë pyetjet e qytetarëve, edhe në adresë të ekofin.al se kur të do të bëhet lëvrimi i këstit të pestë.
Bazuar në njoftim, të gjithë trashëgimtarët duhet të depozitojnë pranë Ministrisë së Financave, nëpërmjet sistemit postar ose dorazi në zyrën e protokollit brenda një afati kohor prej 3 muajsh nga data e publikimit të listës, dokumentet që kanë nevojë për përditësim, të cilat në listën e publikuar shënohen me shenjën “X”.
Nëse një ish i dënuar politik ose trashëgimtari /trashëgimtarët e ish të dënuarit politik nuk dorëzon dokumentacionin e kërkuar sipas parashikimeve të pikës 2 e vijues të nenit 14 të ligjit nr. 9831, datë 12.11.2007 “Për dëmshpërblimin e ish të dënuarve politik të regjimit komunist” i ndryshuar, brenda afatit 3-mujor nga data e publikimit të listës, të gjithë ish të përndjekurit, të cilët janë pjesë e saj, ai/ajo njoftohet lidhur me përfundimin e këtij afati dhe i jepet një afat shtesë deri në 30 ditë.
Në rast se dokumentacioni i kërkuar nuk dorëzohet edhe pas kalimit të afatit shtesë (30 ditë), pagesa i kalon personave që nuk bëjnë pjesë në kategorinë e subjekteve përfituese parësore, të cilët, në përputhje me ligjin, kanë dorëzuar dokumentet e duhura dhe janë të gatshëm për pagesë.
Kur një ish i dënuar politik ose trashëgimtari /trashëgimtarët e ish të dënuarit politik refuzon të dorëzojë dokumentacionin e kërkuar brenda afateve të parashikuara si më sipër, forma e refuzimit duhet të jetë me shkrim. Edhe në këtë rast, pagesa i kalon personave që nuk bëjnë pjesë në kategorinë e subjekteve përfituese parësore, të cilat, në përputhje me ligjin, kanë dorëzuar dokumentet e duhura dhe janë të gatshme për pagesë.
Personat, të cilët nuk dëmshpërblehen, për shkak të mosplotësimit të dokumenteve, gëzojnë të drejtën për të marrë këstin e kësaj pagese në fazën tjetër, por jo më vonë se tre vjet pas publikimit të emrit për herë të parë në faqen zyrtare, njoftojnë Financat. /ekofin.al

