Administrata Tatimore nis fushatën informuese dhe ndërgjegjësuese për tatimpaguesit që tregtojnë produkte bujqësore dhe blegtorale, në funksion të formalizimit të tregut, sigurisë ushqimore dhe mbrojtjes së konsumatorit!
Pas një periudhe sensibilizuese prej 2 javësh, Task-Forca e posaçme, e përbërë nga inspektorë të Hetimit Tatimor dhe inspektorë të monitorimit në terren, do të nisë kontrollet për të verifikuar që çdo produkt bujqësor apo blegtoral shoqërohet me faturë tatimore të fiskalizuar.
Sipas Ligjit Nr. 87/2019 “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, neni 6, pika 3; neni 7, pika 2 dhe neni 9, tatimpaguesit duhet që:
1- Çdo artikull blegtoral dhe bujqësor që disponojnë dhe tregtojnë ta shoqërojnë me faturë të fiskalizuar të blerjes, në të cilën të identifikohet dukshëm dhe qartë shitësi, si rrjedhojë edhe origjina e produktit.
2- Çdo artikull që tregtojnë ndaj konsumatorit final ta shoqërojnë me faturë të fiskalizuar, ku të jenë pasqyruar saktë dhe dukshëm emërtimi dhe çmimi i produktit.
Në përfundim të fushatës ndërgjegjësuse, Task-Forca e ngritur për këtë qëllim, e përbërë nga inspektorë të Hetimit Tatimor dhe inspektorë të monitorimit në terren, do të nisë kontrollet në vend për të verifikuar që çdo produkt bujqësor apo blegtoral shoqërohet me faturë tatimore të fiskalizuar.
Tatimet kujtojnë se mungesa e faturave do të sjellë penalitete sipas legjislacionit në fuqi.
Më herët Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve nisi fushatën për deklarimin real të të ardhurave nga subjektet që operojnë në sektorin e turizmit si shërbime plazhi, bare restorante struktura akomoduese, makina me qira, transport ndërqytetas etj.
Duke e vlerësuar si një sektor me risk të lartë për shmangie tatimore, Administrata Tatimore gjithashtu publikoi një plan operacional me masa të posaçme për sezonin turistik 2025.
Ky plan përfshin struktura akomoduese, bare, restorante, agroturizëm, shërbime plazhi, dhënie me qira të makinave, ambienteve dhe aktivitete të tjera të lidhura me turizmin.
Qëllimi i këtij plani është informimi, ndërgjegjësimi dhe këshillimi i tatimpaguesve për deklarim korrekt dhe në kohë të detyrimeve tatimore, si dhe për garantimin e formalizimit të aktiviteteve ekonomike në këtë sektor.
Tatimet gjithashtu kanë nisur hetimin e 100 subjekteve të para për mosdeklarimin e të ardhurave nga rrjetet sociale. Në periudhën kur individët po plotësonin DIVA-n, Tatimet kishin paralajmëruar se nga verifikime paraprake me bankat, rezultojnë rreth 33 milionë euro të ardhura nga individët për platformat META, Facebook, Youtube, Google etj. Këta individë kishin afatin e ri deri në 1 prill 2025 t’i deklaronin këto të ardhura./ekofin.al


