Tërmeti, pandemia dhe kriza energjitike ishin bërë shkak për frenim të investimeve madhore. OSHEE ka gati një plan për zbatimin e projekteve për të bërë të mundur përmirësimin e cilësisë së furnizimit me energji elektrike.
Llambi Miti, drejtor i Menaxhimit të Rrjetit pranë Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes thotë se për këtë vit fondi që do të shkojë për investime kap vlerën e 3.06 miliardë lekëve ose rreth 30 milionë dollarë. Miti u ndal dha detaje mbi projektet që do të mbështeten nga fondet e Qeverisë dhe ato të cilat do të jenë me financim të huaj.
“Kemi dy projekte të mëdha, duke filluar nga zonat turistike, të cilat janë më të ndjeshme në lidhje me kërkesën për furnizim me energji elektrike, konkretisht nga Llogaraja deri në Qeparo, një projekt ky që ka nisur të zbatohet. Ndërsa loti i dytë, fillon nga Orikumi deri në Llogara. Po ashtu me mbështetjen e një banke gjermane, përmes një fondi 25 milionë euro do të ndërhyhet në sistemin Scada që kompania ka në qendër, në ndërtimin e një nënstacioni të ri shumë të rëndësishëm në zonën e Kamzës dhe në rikonstruksionin dhe lidhjen e tyre me Scadën qendrore të 11 nënstacioneve. Këto janë disa nga projektet me financim të huaj, ndërsa me buxhetin e vënë në dispozicion nga buxheti i shtetit do të ndërhyhet në Velipojë dhe Shëngjin”.
Veç kësaj, po shihet edhe mundësia e investimeve në zonat e thella malore për shkak të fluksit të lartë të turistëve, megjithatë tha drejtori i Menaxhimit të Rrjetit në OSSH, ndërhyrja aty është e vështirë edhe për shkak të tërrenit. Sa u takon humbjeve në rrjet, synohet që deri në fund të 2024-s, të arrijnë në nivelin 18.5%.
