Disa prej grupeve më të mëdha ndërkombëtare të hotelerisë do të zbarkojnë në Tiranë më 2 tetor, duke sjellë në një panel të përbashkët drejtues të markave globale, investitorë, zhvillues dhe përfaqësues të institucioneve shqiptare për të diskutuar të ardhmen e akomodimit dhe investimeve turistike në Shqipëri.
Accor Luxury, Minor Hotels, Wyndham Hotels & Resorts, Falkensteiner Hotels and Residences, Sunset Hospitality Group, Iberostar, Banyan Group, CDS Hotels, Club Esse, METT, Elite World Hotels & Resorts, Hyatt Inclusive Collection, HO Collection dhe Majestic Hospitality janë mes emrave që kanë konfirmuar pjesëmarrjen në edicionin e parë të “Future Hospitality Forum 2026”, të organizuar nga Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA).
Prania e këtyre grupeve e vendos Shqipërinë përballë një prej diskutimeve më të rëndësishme për fazën e ardhshme të zhvillimit të turizmit: si mund të shoqërohet rritja e numrit të vizitorëve me zgjerimin dhe rritjen e standardeve të strukturave akomoduese dhe me tërheqjen e investimeve të reja ndërkombëtare.
Forumi do të zhvillohet në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit dhe synon të krijojë një pikë takimi mes kapitalit vendas, projekteve shqiptare dhe operatorëve ndërkombëtarë të industrisë së mikpritjes. Sipas informacioneve të bëra publike nga AIDA, mbi 100 projekte shqiptare do t’u prezantohen markave hoteliere ndërkombëtare, ndërsa takimet B2B do të synojnë krijimin e kontakteve konkrete mes zhvilluesve dhe partnerëve potencialë.
Në këtë mënyrë, aktiviteti shkon përtej një konference tradicionale për turizmin. Për zhvilluesit shqiptarë krijohet mundësia për të kuptuar drejtpërdrejt se çfarë kërkojnë grupet ndërkombëtare përpara se të hyjnë në një treg të ri: nga vendndodhja dhe përmasat e projektit, te dizajni, standardet, mënyra e menaxhimit dhe kushtet për afiliimin me një markë globale.
Një nga diskutimet kryesore do të jetë pikërisht vala e ardhshme e investimeve në hoteleri në Shqipëri. Në panelin “Albania’s Next Hospitality Investment Wave”, drejtues të grupeve ndërkombëtare, përfshirë Accor, Wyndham dhe Minor Hotels, do të diskutojnë kriteret që përdorin markat globale kur zgjedhin destinacione të reja dhe interesin që po paraqet Shqipëria për industrinë.
Diskutimi vjen në një moment kur zhvillimi i turizmit po shton presionin për më shumë kapacitete akomoduese, por edhe për struktura me standarde më të larta ndërkombëtare. Sfida nuk është vetëm shtimi i numrit të shtretërve, por krijimi i një industrie hoteliere më të strukturuar, me operatorë profesionistë, modele moderne menaxhimi dhe oferta që mund të konkurrojnë me destinacionet e konsoliduara të Mesdheut.
Pikërisht për këtë arsye, forumi do ta shohë potencialin e Shqipërisë në tre drejtime të ndryshme: hotelerinë urbane, resortet bregdetare dhe strukturat malore e boutique. Për zonat urbane fokusi do të jetë te infrastruktura moderne e mikpritjes; në bregdet te resortet dhe zhvillimi i qëndrueshëm përgjatë Adriatikut dhe Jonit; ndërsa në zonat malore te strukturat boutique dhe turizmi alternativ.
“Future Hospitality Forum 2026” do të hapet me fjalimin e Kryeministrit Edi Rama dhe do të përfshijë dy panele me përfaqësues të institucioneve, financave, investimeve dhe drejtues të industrisë ndërkombëtare të mikpritjes. /ekofin.al

