Të paktën 160 produkte të konsumit të përditshëm pritet të përfshihen në platformën e re “Pasqyra e Çmimeve”, e cila do të vihet në funksionim brenda 10-ditëshit të parë të tetorit.
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, bëri të ditur se platforma është në fazat përfundimtare të përgatitjes, ndërsa po rakordohet me rrjetet kryesore të supermarketeve lista përfundimtare e produkteve që do të publikohen.
“Ne presim që në 10-ditëshin e parë të tetorit platforma të jetë me një numër prej minimalisht 160 produktesh”, deklaroi Ibrahimaj gjatë konferencës për shtyp.
Sipas ministres, lista do të përfshijë kryesisht produkte të shportës së familjeve shqiptare. Përveç artikujve ushqimorë, në platformë do të publikohen edhe çmimet e produkteve të higjienës së përditshme që përdoren më së shumti nga familjet.
Synimi i “Pasqyrës së Çmimeve” është t’u japë konsumatorëve mundësinë të kenë një informacion më të qartë dhe të krahasueshëm mbi çmimet e produkteve bazë në treg.
Paralelisht, Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit po punon me rrjetet e supermarketeve, importuesit dhe prodhuesit për një tjetër listë produktesh që do të tregtohen për një periudhë tremujore me çmime fikse dhe marzh minimal fitimi.
“Jemi duke punuar gjithashtu me rrjetin e supermarketeve, por edhe me rrjetet e importuesve apo të prodhuesve, pra furnitorëve kryesorë të supermarketeve, me qëllim detajimin e një liste për të cilën supermarketet, importuesit dhe prodhuesit kryesorë kanë vendosur të shesin, të tregtojnë për një periudhë tremujore me çmime fikse dhe me fitim minimal”, tha Ibrahimaj.
Kështu, brenda ditëve të para të tetorit pritet të aktivizohen paralelisht dy elemente të nismës: platforma me të paktën 160 produkte ku konsumatorët do të mund të informohen mbi çmimet dhe lista e produkteve që operatorët e tregut kanë vendosur t’i tregtojnë për tre muaj me çmime fikse dhe fitim minimal.
Lista përfundimtare e produkteve është ende duke u rakorduar me operatorët kryesorë të tregut dhe pritet të bëhet publike me lançimin e platformës.
