Sistemi financiar shqiptar është më i shëndetshëm, më i diversifikuar dhe mbështetet nga një kuadër rregullator më i avancuar krahasuar me vlerësimin e mëparshëm të kryer më shumë se një dekadë më parë. Ky është një nga përfundimet kryesore të Programit të Vlerësimit të Sektorit Financiar (FSAP), të zhvilluar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore.
Në kuadër të përmbylljes së procesit, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, zhvilloi më 28 shtator një takim me përfaqësuesit e misionit të përbashkët të FMN-së dhe Bankës Botërore. Në takim morën pjesë gjithashtu drejtues të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Agjencisë së Sigurimit të Depozitave dhe Ministrisë së Financave.
Vlerësimi FSAP ishte kërkuar nga autoritetet shqiptare, ndërsa Banka e Shqipërisë koordinoi procesin brenda vendit. Programi analizon në mënyrë të thelluar aftësinë e sistemit financiar për të përballuar rreziqe dhe goditje, cilësinë e mbikëqyrjes dhe rregullimit, si dhe kapacitetet institucionale për parandalimin dhe menaxhimin e krizave financiare.
Sipas Bankës së Shqipërisë, ekspertët e FSAP evidentuan progresin e bërë që nga vlerësimi i mëparshëm i viteve 2013-2014. Shqipëria vlerësohet se ka sot institucione financiare më të shëndetshme dhe një sistem financiar më të larmishëm. Njëkohësisht është modernizuar infrastruktura e pagesave, është zgjeruar ndërmjetësimi financiar dhe janë përhapur risitë teknologjike në ofrimin e produkteve dhe shërbimeve financiare.
Përparim është konstatuar edhe në aspektin ligjor dhe rregullator. Kuadri shqiptar është përafruar ndjeshëm me atë të Bashkimit Evropian, duke krijuar kushtet për një mbikëqyrje më të plotë dhe efektive të institucioneve dhe tregjeve financiare.
Vlerësimi nuk është kufizuar vetëm te bankat. Procesi ka përfshirë administrimin e krizave financiare, vlerësimin e rrezikut sistemik, mbikëqyrjen mikro dhe makroprudenciale, mbrojtjen kibernetike të sistemit financiar, financimin në epokën digjitale, aksesin në financim të bizneseve të vogla dhe të mesme dhe zhvillimin e tregjeve të kapitalit.
Pavarësisht progresit, vlerësimi evidenton se sistemi financiar po operon në një mjedis ekonomik dhe teknologjik në ndryshim të vazhdueshëm, që sjell edhe rreziqe të reja. Për këtë arsye, rekomandimet e FSAP synojnë forcimin e mëtejshëm të qëndrueshmërisë së sistemit, përmirësimin e administrimit të rreziqeve dhe rritjen e rolit të sektorit financiar në financimin e ekonomisë reale.
Një pjesë e këtyre rekomandimeve mund të integrohen edhe në ndryshimet ligjore dhe operacionale që Shqipëria po ndërmerr në procesin e përafrimit me standardet dhe praktikat e Bashkimit Evropian.
Guvernatori Gent Sejko e cilësoi të rëndësishëm faktin që sistemi financiar shqiptar iu nënshtrua në këtë fazë një vlerësimi profesional dhe të pavarur, duke theksuar se rezultatet konfirmojnë gjendjen e shëndoshë të tij. Ai shprehu angazhimin e autoriteteve shqiptare për të analizuar rekomandimet dhe për t’i përdorur ato në fuqizimin e reformave të sektorit financiar në afatin e mesëm.
Me përfundimin e FSAP-it, bashkëpunimi me FMN-në dhe Bankën Botërore pritet të vijojë edhe përmes asistencës teknike në disa prej fushave të identifikuara gjatë procesit të vlerësimit./ekofin.al
