Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka nisur konsultimet me tregun për ndryshimin e kuadrit ligjor që rregullon veprimtarinë e sigurimit dhe risigurimit, duke rikthyer në tryezë një projektligj që nuk arriti të përfundonte procesin e miratimit në Kuvend.
Drafti “Për veprimtarinë e sigurimit dhe risigurimit”, një version i të cilit u miratua nga Këshilli i Ministrave në janar 2025 dhe iu përcoll Kuvendit, por nuk u miratua, pritet të ndryshojë sërish. Në kuadër të përgatitjes së draftit të ri, AMF ka zhvilluar një takim konsultues me drejtuesit e shoqërive të sigurimit dhe përfaqësues të Bankës Botërore.
Në njoftimin e AMF theksohet se në qendër të ndryshimeve që pritet të sjellë ligji i ri janë kërkesat për kapitalin e kompanive të sigurimit, të cilat do të lidhen më ngushtë me profilin e rrezikut të veprimtarisë së secilës shoqëri, si dhe vendosja e standardeve më të forta për mbrojtjen e konsumatorëve gjatë shpërndarjes dhe shitjes së produkteve të sigurimit.
Projektligji synon përafrimin e mëtejshëm të legjislacionit shqiptar me kuadrin evropian Solvency II dhe me Direktivën për Shpërndarjen e Sigurimeve (IDD), dy prej shtyllave kryesore të rregullimit të tregut evropian të sigurimeve.
Drejtoresha e Përgjithshme Ekzekutive e AMF-së, Adela Xhemali, gjatë takimit me kompanitë e sigurimit e vendosi theksin te nevoja që tregu të përgatitet për zbatimin e reformës dhe që ndryshimet të mos shihen vetëm si një detyrim që lidhet me procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.
“Kjo reformë nuk duhet parë vetëm në dimensionin e përmbushjes së detyrimeve që burojnë nga procesi i integrimit evropian. Për Autoritetin, ajo përbën një mundësi për të forcuar më tej qëndrueshmërinë e tregut të sigurimeve, standardet e qeverisjes, administrimin e rreziqeve, transparencën dhe mbrojtjen e konsumatorëve”, deklaroi Xhemali.
Sipas saj, kalimi drejt kuadrit të ri do të kërkojë angazhim, planifikim dhe bashkëpunim të vazhdueshëm ndërmjet AMF-së dhe industrisë së sigurimeve.
Një nga ndryshimet më të rëndësishme lidhet me mënyrën se si do të përcaktohen kërkesat për kapital. Qasja e Solvency II synon që kapitali i nevojshëm të reflektojë rreziqet konkrete që merr përsipër një shoqëri sigurimi, duke kaluar drejt një modeli më të ndjeshëm ndaj rrezikut.
Eksperti i Bankës Botërore, Timo Broszeit, gjatë prezantimit të projektligjit theksoi gjithashtu rëndësinë që Solvency II i jep qeverisjes korporative. Sipas tij, administrimi i rrezikut duhet të bëhet pjesë e vendimmarrjes strategjike të kompanive, duke rritur njëkohësisht përgjegjësinë e organeve drejtuese për qëndrueshmërinë financiare dhe mbrojtjen e personave të siguruar.
Krahas kërkesave prudenciale, një tjetër pjesë e rëndësishme e reformës është mbrojtja e konsumatorëve. Përafrimi me Direktivën IDD pritet të sjellë kërkesa më të forta për mënyrën e shpërndarjes së produkteve të sigurimit, informacionin që u jepet klientëve dhe standardet që duhet të respektohen gjatë procesit të shitjes.
Xhemali vlerësoi mbështetjen e Bankës Botërore dhe financimin e SECO-s të qeverisë zvicerane në asistencën e dhënë AMF-së gjatë hartimit të projektligjit dhe përshtatjes së kërkesave evropiane me kushtet konkrete të tregut shqiptar.
Nga ana tjetër, drejtuesit e shoqërive të sigurimit diskutuan pritshmëritë dhe sfidat që lidhen me kalimin drejt regjimit të ri. Në takim u diskutua edhe për shkëmbimin e eksperiencave me kompani që, si pjesë e grupeve ndërkombëtare, kanë avancuar në zbatimin e standardeve të Solvency II, ndërsa industria shprehu angazhimin për mbështetjen e reformës, veçanërisht në drejtim të ngritjes së kapaciteteve dhe digjitalizimit. /ekofin.al
