Fitimi i sektorit bankar shënoi rënie të ndjeshme në gjashtëmujorin e parë të vitit 2026, pavarësisht rritjes së të ardhurave nga aktiviteti bazë. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, bankat realizuan një fitim të akumuluar prej 14.4 miliardë lekësh, nga 18 miliardë lekë në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Kjo përkthehet në një tkurrje të fitimit me 3.6 miliardë lekë, ose rreth 20% në terma vjetorë. Në rezultat kanë ndikuar kryesisht rritja e shpenzimeve të veprimtarisë dhe kostot më të larta për provigjione, të cilat kanë neutralizuar një pjesë të mirë të rritjes së të ardhurave.
Rënia e fitimit është reflektuar edhe në treguesit kryesorë të rentabilitetit. Kthimi nga aktivet (RoA) zbriti në 1.2%, nga 1.7% në gjashtëmujorin e parë të vitit 2025, ndërsa kthimi nga kapitali (RoE) ra në 12%, nga 16.4% një vit më parë.
Megjithatë, aktiviteti bazë bankar vijoi të gjenerojë më shumë të ardhura. Të ardhurat neto nga interesat u rritën me 1.2 miliardë lekë, duke arritur në 38.1 miliardë lekë, ose 3.1% më shumë se një vit më parë. Rritja erdhi tërësisht nga aktiviteti në monedhën vendase.
Të ardhurat neto nga interesat në lekë u rritën me 2.1 miliardë lekë dhe arritën në 23 miliardë lekë, pasi të ardhurat nga interesat u zgjeruan më shpejt se shpenzimet. E kundërta ndodhi me aktivitetin në valutë, ku rezultati neto nga interesat ra me rreth 1 miliard lekë. Shpenzimet për interesa në valutë u rritën, ndërsa të ardhurat mbetën pranë niveleve të një viti më parë.
Pavarësisht rritjes së të ardhurave neto nga interesat, marzhi neto nga interesat u ngushtua në 3.7%, nga 3.9% një vit më parë. Sipas Bankës së Shqipërisë, kjo lidhet me rritjen me rreth 9% të aktiveve mesatare që sjellin të ardhura, një ritëm dukshëm më i lartë se ai i rritjes së të ardhurave neto nga interesat.
Një zhvillim tjetër i rëndësishëm është rritja e rolit të komisioneve në të ardhurat e bankave. Të ardhurat jo nga interesat u shtuan me 2 miliardë lekë dhe arritën në 13.5 miliardë lekë. Brenda tyre, të ardhurat nga gjobat dhe komisionet u rritën me 1.1 miliardë lekë, ndërsa fitimi i realizuar nga instrumentet financiare u zgjerua me 0.9 miliardë lekë.
Banka e Shqipërisë vëren se të ardhurat nga gjobat dhe komisionet vijojnë të jenë një burim i rëndësishëm për sektorin bankar dhe po rrisin gradualisht peshën e tyre në strukturën e rezultatit financiar.
Por rritja e të ardhurave nuk ka qenë e mjaftueshme për të kompensuar kostot. Shpenzimet e veprimtarisë u rritën me 3.5 miliardë lekë dhe arritën në rreth 31 miliardë lekë, ndërsa të ardhurat u shtuan me 3.1 miliardë lekë, në rreth 52 miliardë lekë. Për pasojë, raporti i shpenzimeve të veprimtarisë ndaj të ardhurave u përkeqësua në 59%, nga 56% një vit më parë.
Presion shtesë mbi fitimin kanë ushtruar provigjionet. Shpenzimet për provigjione për kreditë arritën në rreth 4 miliardë lekë gjatë gjysmës së parë të vitit. Në total, shpenzimet për provigjione u rritën me rreth 3.4 miliardë lekë krahasuar me një vit më parë, duke dhënë një ndikim të drejtpërdrejtë negativ në rezultatin financiar.
Dobësimi i përfitueshmërisë nuk është kufizuar vetëm te treguesi mesatar i sektorit. Bankat që zotërojnë rreth 85% të aktiveve të sistemit raportuan një kthim nga aktivet nën 2%, ndërsa një vit më parë në këtë kategori gjendeshin bankat që përfaqësonin rreth 70% të aktiveve.
Edhe më domethënës është fakti se gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026 asnjë bankë nuk regjistroi një RoA mbi 3%. Një vit më parë, bankat me këtë nivel rentabiliteti zotëronin rreth 15% të aktiveve të sektorit. /ekofin.al
