Shqipëria ka një peshë relativisht të lartë të tokës së punueshme krahasuar me pjesën më të madhe të Ballkanit Perëndimor. Sipas të dhënave të Bankës Botërore për vitin 2023, 21.6% e sipërfaqes së tokës në Shqipëri klasifikohet si tokë e punueshme, duke e renditur vendin në pozicionin e 50-të në botë.
Brenda rajonit, vetëm Serbia ka një përqindje më të lartë, me 31% dhe vendin e 29-të globalisht. Shqipëria qëndron mbi Maqedoninë e Veriut, me 16.5% dhe vendin e 62-të, dukshëm mbi Bosnjë-Hercegovinën, me 7.2% dhe vendin e 115-të, ndërsa diferenca është shumë e madhe me Malin e Zi, ku vetëm 0.7% e territorit klasifikohet si tokë e punueshme, duke e renditur në vendin e 183-të. Kështu, Shqipëria ka rreth tre herë peshë më të madhe të tokës së punueshme se Bosnjë-Hercegovina dhe mbi 30 herë më të lartë se Mali i Zi.
Në nivel botëror, Bangladeshi ka përqindjen më të lartë të tokës së punueshme, me 60.6% të territorit, i ndjekur nga Danimarka me 59.1%, ndërsa Ukraina dhe Moldavia kanë nga 56.8% dhe India 51.8%. Edhe disa vende afrikane renditen lart, mes tyre Burundi, Togo, Ruanda dhe Nigeria.
Toka e punueshme përfshin sipërfaqet me kultura të përkohshme, livadhet e përkohshme për kositje ose kullotje, kopshtet dhe tokën e lënë përkohësisht djerrë. Treguesi mat këto sipërfaqe si përqindje të territorit të përgjithshëm të një vendi, dhe jo sasinë absolute të tokës bujqësore që ai zotëron.
Për këtë arsye, një përqindje e lartë nuk do të thotë domosdoshmërisht se një vend ka më shumë tokë bujqësore në terma absolutë apo prodhon më shumë ushqime. Vendet me territor shumë të madh mund të kenë një përqindje relativisht të ulët, por sipërfaqe të konsiderueshme nën kultivim. Kjo shpjegon edhe pse vendet që janë ndër prodhuesit më të mëdhenj të ushqimeve nuk përputhen domosdoshmërisht me ato që kryesojnë renditjen sipas përqindjes së tokës së punueshme.
Azia Jugore përballë Lindjes së Mesme
Azia Jugore dallohet për sipërfaqe të mëdha të përshtatshme për kultivim. India ka 51.8% të territorit tokë të punueshme dhe Pakistani 39.3%. Një rol të rëndësishëm luajnë sistemet e mëdha lumore dhe fushat pjellore, veçanërisht rreth baseneve të Gangut-Brahmaputrës dhe Indusit.
Bujqësia vazhdon gjithashtu të ketë peshë të madhe në ekonominë dhe punësimin e rajonit. Në Indi, për shembull, fermat e vogla mbeten të përhapura, ndërsa ujitja dhe kultivimi intensiv mundësojnë shfrytëzimin bujqësor të sipërfaqeve të mëdha.
Situata është e kundërt në një pjesë të madhe të Lindjes së Mesme. Rreth 92% e rajonit arab është hiper-arid, ndërsa mungesa e ujit dhe degradimi i tokës ushtrojnë presion shtesë mbi bujqësinë. Vendet me reshje të pakta janë mbështetur për këtë arsye te ujitja dhe ujërat nëntokësore, teknologjia dhe importet ushqimore për të plotësuar kërkesën e brendshme.
Përqindja e ulët e tokës së punueshme, megjithatë, nuk përcakton vetvetiu sigurinë ushqimore të një vendi. Rëndësi kanë edhe disponueshmëria e ujit, produktiviteti, infrastruktura dhe mundësia për të siguruar ushqime përmes tregtisë ndërkombëtare.
A lidhet toka e punueshme me nivelin e zhvillimit?
Renditja nuk tregon një lidhje të drejtpërdrejtë mes nivelit të të ardhurave dhe përqindjes së tokës së punueshme. Në krye apo në pjesën e sipërme gjenden si ekonomi me të ardhura më të ulëta, si Burundi dhe Malawi, ashtu edhe vende të zhvilluara europiane si Danimarka, Hungaria dhe Lituania.
Megjithatë, bujqësia zakonisht ka peshë më të madhe në ekonomi dhe në punësim në vendet në zhvillim. Fermat e vogla janë veçanërisht të përhapura në ekonomitë me të ardhura të ulëta, ku një pjesë e konsiderueshme e fuqisë punëtore vazhdon të jetë e angazhuar në bujqësi. Në fund, gjeografia dhe kushtet natyrore përcaktojnë se sa tokë mund të kultivohet, ndërsa madhësia e fermave, kapitali, teknologjia dhe produktiviteti përcaktojnë sa vlerë ekonomike mund të nxirret prej saj./ekofin.al

