Drejtori i përgjithshëm i Tatimeve, Ilir Binaj, gjatë raportimit sot në Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale theksoi se gjatë vitit 2026, Binaj tha se administrata Tatimore “po kryen faljen e detyrimeve tatimore dhe deri më 31 gusht janë falur rreth 450 milionë euro, ose 41 miliardë lekë”.
Po ashtu, sipas tij, gjatë vitit 2026, administrata tatimore po kryen rimbursimin e fermerëve përmes një procesi totalisht të digjitalizuar.
“Deri në 31 gusht 2026, ishin rreth 4104 kërkesa, nga të cilat 2906 janë aprovuar dhe 1016 janë në proces për një vlerë prej 10 milionë eurosh”, tha ai.
Sipas të dhënave të prezantuara nga Binaj, në vitin 2025 Administrata Tatimore mblodhi më shumë se 4,7 miliardë euro të ardhura, 11,8% më shumë krahasuar me një vit më parë.
Gjatë të njëjtit vit u kryen edhe rimbursime të TVSH-së në vlerën 262 milionë euro, ose 13% më shumë se në vitin paraardhës.
“Në vitin 2025, administrata tatimore mblodhi më shumë se 4,7 miliardë euro të ardhura, 11,8% më shumë se viti i mëparshëm dhe kreu rimbursime të TVSH-së në vlerë 262 milionë euro, 13% më shumë se viti i mëparshëm”, tha Binaj.
Binaj shtoi se “kjo qasje u demonstrua dhe në sezonin e fundit të dorëzimit të deklaratave për vitin, për vitin 2025 që përfundon në 31 mars 2026, ku 327.000 deklarata tatimi të të ardhurave personale dhe të korporatave u dorëzuan sipas kërkesave të ligjit të tatimit mbi të ardhurat, duke rezultuar në një ndër sezonet më të suksesshëm ndër vite në drejtim të edukimit, informimit, tatimpaguesve, shërbimeve, mbështetjes teknike dhe mbledhjes së të ardhurave”.
Për herë të parë u aplikua edhe paraplotësimi i deklaratës së tatimit mbi të ardhurat personale, një proces që, sipas Tatimeve, u ka kursyer mijëra orë pune tatimpaguesve.
“Dorëzimi i deklaratës u pasua nga rimbursimi i rreth 40.000 tatimpaguesve individë për rreth 6,5 milionë euro, i cili ende vazhdon për ata tatimpagues që nuk kanë pasur llogari të sakta bankare ose që kanë paraqitur kërkesa në vonesë”, tha ai.
