Shqipëria është një nga vetëm tri vendet e Ballkanit Perëndimor ku integrimi më i thellë agro-ushqimor me Bashkimin Evropian identifikohet si veçanërisht i rëndësishëm, së bashku me Bosnjë-Hercegovinën dhe Maqedoninë e Veriut. Për vendin, një pjesë e përfitimit ekonomik nga afrimi me tregun e përbashkët Evropian mund të vijë pikërisht nga ulja e barrierave që sot rëndojnë eksportet bujqësore dhe ushqimore.
Analiza e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) bën një dallim të qartë mes strukturave ekonomike të vendeve të rajonit. Integrimi më i thellë në rrjetet industriale të prodhimit “në kohë” konsiderohet veçanërisht i rëndësishëm për Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut; integrimi agro-ushqimor për Shqipërinë, Bosnjë-Hercegovinën dhe Maqedoninë e Veriut; ndërsa përmirësimi i transportit tokësor veçohet kryesisht për Serbinë, Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut.

Për eksportuesit agro-ushqimorë, problemi nuk është më vetëm tarifa doganore. FMN nënvizon se një pengesë e rëndësishme mbetet njohja e kufizuar e kontrolleve sanitare dhe fitosanitare dhe koordinimi i pamjaftueshëm i kontrolleve kufitare. Si rezultat, bizneset mund të përballen me certifikime, inspektime, vonesa dhe kosto të konsiderueshme fikse për miratimin e stabilimenteve dhe sigurimin e gjurmueshmërisë së produktit nga ferma deri te konsumatori.
Pikërisht për këtë arsye, integrimi i agro-ushqimit është më kompleks se heqja e disa procedurave doganore për produktet industriale. Kërkohet përafrim i fortë me rregullat e BE-së, kapacitet i mjaftueshëm inspektues dhe laboratorik, gjurmueshmëri e besueshme dhe zbatim i standardeve përgjatë gjithë zinxhirit të prodhimit dhe furnizimit. Megjithatë, studimi vlerëson se për Ballkanin Perëndimor kjo duhet të jetë më e realizueshme sesa për partnerë më të largët të BE-së, pasi sistemet rregullatore dhe strukturat e prodhimit në rajon janë tashmë gjithnjë e më të orientuara drejt tregut Evropian.
Për Shqipërinë ky është një dallim i rëndësishëm nga disa prej ekonomive më të industrializuara të rajonit. Ndërsa Serbia dhe Maqedonia e Veriut janë më të ekspozuara ndaj kostove që prekin zinxhirët industrialë, për Shqipërinë bujqësia, përpunimi ushqimor, transporti dhe logjistika që lidhen me agro-ushqimin mund të jenë ndër kanalet kryesore të përfitimit nga një akses më i thellë në tregun Evropian. FMN vëren se integrimi më i thellë agro-ushqimor do të krijonte përfitime pikërisht në këta sektorë, megjithëse nuk jep një vlerë monetare specifike për Shqipërinë.
Kjo është edhe arsyeja pse për Shqipërinë debati mbi integrimin me tregun e BE-së nuk lidhet vetëm me heqjen e kontrolleve në kufi. Për eksportuesit bujqësorë, aftësia për të plotësuar standardet, për të provuar gjurmueshmërinë dhe për të kaluar kontrollet pa procedura të dyfishta mund të përcaktojë nëse një produkt shqiptar hyn ose jo konkurrueshëm në tregun evropian./ekofin.al
