Teknologjia, inteligjenca artificiale, siguria kibernetike, startup-et dhe investimet do të jenë në qendër të edicionit të katërt të Future2Tech, që do të zhvillohet më 24 dhe 25 shtator në Pallatin e Kongreseve në Tiranë.
Panairi do të mbledhë në një hapësirë të përbashkët përfaqësues të institucioneve publike, organizatave ndërkombëtare, komunitetit diplomatik, kompanive teknologjike, startup-eve, investitorëve dhe akademisë. Mes pjesëmarrësve do të jenë ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj, si dhe përfaqësues të GIZ, Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, Ambasadës së Francës dhe Ambasadës së Çekisë.
Inteligjenca Artificiale dhe digjitalizimi, FinTech, siguria kibernetike, aftësitë digjitale, zhvillimi i startup-eve, investimet, ekonomia qarkulluese dhe tranzicioni i gjelbër do të jenë disa nga temat kryesore të diskutimeve.
Future2Tech 2026 vjen në një kohë kur përdorimi i teknologjisë në ekonomi po zgjerohet me ritme të shpejta. Sipas të dhënave të publikuara nga organizatorët, gjatë vitit 2025 pagesat përmes e-banking arritën në 11.53 milionë transaksione, ndërsa pagesat me kartë në terminalet POS në 27.2 milionë. Numri i llogarive bankare të lidhura me internetin arriti në 1.95 milionë, me një rritje vjetore prej 44%.
Edhe ekosistemi shqiptar i startup-eve ka shënuar zgjerim. Sipas StartupBlink 2026, Shqipëria renditet në vendin e 75-të në nivel global, me një rritje vjetore prej 71.1%. Megjithatë, përdorimi i Inteligjencës Artificiale nga bizneset mbetet ende në fazat e para, ndërsa aftësitë digjitale, siguria kibernetike dhe përshtatja e fuqisë punëtore me teknologjitë e reja mbeten ndër sfidat kryesore.
Përtej ekspozimit të teknologjive të reja, panairi do të ofrojë panele diskutimi, forume, prezantime, demonstrime teknologjike dhe takime B2B, duke krijuar mundësi për lidhje të reja mes biznesit, institucioneve, investitorëve, startup-eve dhe akademisë. Në edicionet e mëparshme, Future2Tech ka mbledhur mbi 120 ekspozues dhe mijëra vizitorë.
Edicioni i këtij viti organizohet nga I – Exhibitions dhe AlbaniaTech dhe synon të shërbejë si një pikë takimi për aktorët që po ndikojnë në transformimin teknologjik dhe ekonomik të vendit.
