Të ardhurat nga tatimi mbi pagat në sektorin e ndërtimit janë rritur me 49% në qershor 2026 krahasuar me qershorin 2025, ndërsa numri i punonjësve të deklaruar është shtuar vetëm me 3%. Të dhënat e publikuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve tregojnë se ndryshimi më i fortë gjatë një viti nuk ka ardhur vetëm nga shtimi i të punësuarve, por sidomos nga rritja e pagave të deklaruara dhe zhvendosja e punonjësve drejt fashave më të larta të pagës, pra nga formalizimi i sektorit.
Në qershor të këtij viti, sektori i ndërtimit kishte 65,241 punonjës të deklaruar, nga 63,041 në të njëjtin muaj të vitit 2025. Në terma absolutë janë 2,200 punonjës më shumë, ose një rritje prej 3%.
Ndërkohë, paga bruto gjithsej e deklaruar në sektor është rritur me 23%, ndërsa paga bruto mbi të cilën llogariten kontributet e sigurimeve shoqërore është rritur me 20%. Si rezultat, totali i kontributeve të paguara është shtuar me 25%, kurse Tatimi mbi të Ardhurat nga Punësimi (TAP) ka shënuar rritjen më të lartë, prej 49%.
Të dhënat sipas fashave tregojnë një ndryshim të fortë të strukturës së pagave të deklaruara. Numri i punonjësve në fashën 70,001–100,000 lekë është rritur me 119%, në fashën 100,001–120,000 lekë me 79%, ndërsa për pagat mbi 120,000 lekë rritja është 49%. Edhe numri i punonjësve të deklaruar me pagë fikse 50,000 lekë rezulton 156% më i lartë se një vit më parë.
Në kahun tjetër, është reduktuar ndjeshëm numri i punonjësve në disa prej fashave më të ulëta. Për pagat 0–39,999 lekë rënia është 4%, për pagën 40,000 lekë arrin në 99%, ndërsa në fashën 40,001–49,999 lekë numri është ulur me 91%. Edhe fasha 50,001–70,000 lekë shënon rënie prej 13%.
Administrata Tatimore i lidh këto zhvillime me zbatimin e Planit Sektorial të Ndërtimit, duke i konsideruar tregues të formalizimit të sektorit, përmes rritjes së numrit të punonjësve të deklaruar, pagave dhe kontributeve. Megjithatë, të dhënat e publikuara nuk tregojnë nivelin mesatar të pagës, numrin konkret të punonjësve në secilën fashë apo sa nga rritja lidhet me paga realisht më të larta dhe sa me deklarimin më të plotë të tyre. /ekofin.al
