Revolut po shqyrton mundësinë që, kur të dalë përfundimisht në bursë, të listohet njëkohësisht në Nju Jork dhe Londër, ka deklaruar themeluesi i kompanisë. Një plan i tillë do ta mbante fintech-un pjesërisht në tregun vendas, ndërsa njëkohësisht do t’i jepte akses në tregun shumë më të thellë amerikan, të cilin kompania e ka preferuar prej kohësh.
Kompania private më e vlefshme e Britanisë ka qartësuar kështu se ku synon të tregtojë aksionet e saj.
Nik Storonsky, themeluesi dhe CEO i Revolut, i tha të enjten gazetës franceze Les Echos se grupi po shqyrton një listim të dyfishtë në London Stock Exchange dhe Nasdaq, duke konfirmuar raportimet e mëparshme në media.
Një zëdhënës i Revolut e konfirmoi raportimin për Euronews.
Shtetet e Bashkuara mbeten zgjedhja e preferuar e Storonsky-t dhe ai ishte i drejtpërdrejtë për arsyet.
“Është një treg më i madh. Përfshin investitorë institucionalë, fonde spekulative, menaxherë fondesh dhe një numër të konsiderueshëm investitorësh individualë”, tha ai.
“Pra, kemi zgjedhjen mes shitjes në një treg të vogël me pak blerës ose në një treg gjigant, me një numër shumë të madh blerësish që do të konkurrojnë fort për aksionet tona”, shtoi Storonsky.
Komentet shënojnë një zbutje të qëndrimit të mëparshëm.
Në vitin 2024, CEO i Revolut argumentonte se Bursa e Londrës thjesht nuk mund të konkurronte me tregjet amerikane, duke përmendur likuiditetin e ulët dhe taksën britanike prej 0.5% mbi blerjen e aksioneve. Në atë kohë, ai dukej se e kishte përjashtuar pothuajse plotësisht mundësinë e listimit në Britani.
Bursa e Londrës ka kaluar një periudhë të zgjatur me pak listime të reja, ndërsa kompanitë kanë zgjedhur ose të mbeten private, ose të zhvendosen drejt SHBA-së. Për shembull, kompania e pagesave Wise e transferoi këtë vit listimin e saj primar në Nju Jork, ndërsa AstraZeneca gjithashtu ka zgjeruar praninë në tregun amerikan.
Nëse Revolut do të dilte në bursë me një vlerësim afër nivelit aktual, do të bëhej një nga kompanitë më të mëdha britanike të listuara, potencialisht me një vlerë më të lartë se Barclays ose NatWest.
Një shitje dytësore aksionesh në korrik e vlerësoi kompaninë në rreth 115 miliardë dollarë, ose 100 miliardë euro, nga 75 miliardë dollarë, ose 65 miliardë euro, në nëntor.
Ende nuk ka një datë për IPO-n
I pyetur nga Euronews nëse ka diskutime të brendshme për afatet e ofertës publike fillestare, zëdhënësi i Revolut refuzoi të komentojë. Megjithatë, ai iu referua një interviste të mëparshme të Storonsky-t për Bloomberg në prill të këtij viti, ku CEO kishte thënë: “Pas dy vjetësh, por kjo varet nga sa i mirë do të jetë tregu.”
Kompania ka bërë ndërkohë progres të dukshëm, duke kaluar këtë vit në ndërtimin e bazës rregullatore që do t’i nevojitet për një listim në bursë.
Në mars, Revolut siguroi licencën e plotë bankare në Mbretërinë e Bashkuar, pas një pritjeje të gjatë që Storonsky ia ka atribuar publikisht rregullatorëve britanikë. Në gusht mori një licencë franceze, ndërsa këtë muaj siguroi miratim me kushte për një licencë bankare kombëtare në SHBA.
Të mërkurën, Revolut njoftoi gjithashtu se kishte aplikuar për një licencë në Zvicër, së bashku me planet për të investuar atje më shumë se 150 milionë franga zvicerane, ose 158 milionë euro.
Revolut nuk ka bërë të ditur ende se cili treg do të mbajë listimin primar, nëse dy listimet do të realizohen njëkohësisht apo kur do të nisin zyrtarisht përgatitjet për IPO-n./Përshtati nga Euronews, ekofin.al
