Prindërit kanë afat deri më 25 shtator për të regjistruar fëmijët në programin “Pas Shkolle”, një nga risitë e vitit shkollor 2026–2027, i cili, sipas njoftimit të ministrisë së Arsimit, këtë vit zgjerohet në 408 shkolla publike në të gjithë vendin. Regjistrimi kryhet përmes sistemit SMIP, ku prindi mund të zgjedhë aktivitetet që dëshiron të ndjekë fëmija pas përfundimit të orarit të zakonshëm mësimor.
Programi nuk është konceptuar thjesht si zgjatje e qëndrimit të nxënësve në shkollë. Sipas dokumenteve zyrtare të miratuara nga Ministria e Arsimit, “Pas Shkolle” është një program edukativ, zhvillimor dhe mbështetës, që zhvillohet pas përfundimit të orarit të detyruar mësimor. Pjesëmarrja është vullnetare dhe bëhet me miratimin e prindit ose personit që ushtron përgjegjësinë prindërore. Programi nuk zëvendëson procesin normal mësimor dhe nuk është pjesë e planit të detyrueshëm mësimor.
Programi tashmë përfshin të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar: klasat I–V të arsimit fillor, klasat VI–IX të arsimit të mesëm të ulët dhe klasat X–XII të arsimit të mesëm të lartë. Megjithatë, përmbajtja ndryshon sipas grupmoshës. Për arsimin fillor parashikohen dy komponentë, “Bëjmë Detyrat e Shtëpisë” dhe “Klubet Arte dhe Zeje”, ndërsa për arsimin e mesëm të ulët dhe të lartë aktivitetet organizohen kryesisht përmes klubeve të artit dhe zejeve.
Përmes SMIP, prindërit mund të zgjedhin deri në dy klube për fëmijën. Në dispozicion janë aktivitete në muzikë, kërcim, teatër, arte pamore dhe zeje, ndërsa programi përfshin edhe veprimtari sportive. Për nxënësit e arsimit fillor një pjesë e rëndësishme është mbështetja për kryerjen e detyrave të shtëpisë.
Edhe orari është përshtatur me përfundimin e mësimit të detyrueshëm. Sipas informacionit të bërë publik për organizimin e këtij viti, nxënësit e klasave të para dhe të dyta që përfundojnë mësimin në orën 11:30 mund të qëndrojnë në shkollë deri në orën 14:00, ndërsa fëmijët që e përfundojnë mësimin në orën 12:30 ose 13:10 mund të qëndrojnë deri në orën 15:00.
Programi vendos gjithashtu kërkesa për gjithëpërfshirjen. Shkollat duhet të krijojnë mundësi të barabarta për pjesëmarrje, duke eliminuar pengesat që mund të kufizojnë përfshirjen e fëmijëve dhe duke i kushtuar vëmendje të posaçme nxënësve nga grupet vulnerabël. Në dokumentet e programit, mirëqenia dhe siguria e fëmijës, barazia, bashkëpunimi me familjen dhe komunitetin, krijimtaria dhe interesi më i lartë i fëmijës përcaktohen si parime themelore.
Shkollat duhet të zhvillojnë edhe seanca informuese me nxënësit dhe prindërit për mënyrën e funksionimit të programit dhe përzgjedhjen e aktiviteteve. Mësuesit dhe trajnuesit, nga ana tjetër, duhet të hartojnë çdo muaj planin e aktiviteteve, të mbajnë evidencën ditore të frekuentimit dhe, në fund të muajit, të raportojnë mbi aktivitetet e realizuara.
Për realizimin e programit nuk do të angazhohen vetëm mësuesit aktualë. Ministria ka hapur mundësinë që pjesë e tij të bëhen edhe mësues në pension, mësues të renditur në portalin “Mësues për Shqipërinë”, si dhe artistë, artizanë dhe profesionistë të fushave të ndryshme. /ekofin.al

