Bashkia Himarë ka hapur një procedurë të re prokurimi publik për një investim të konsiderueshëm në infrastrukturën e ujërave të zeza në një prej zonave turistike më të rëndësishme të jugut të vendit. Tenderi me objekt “Ndërtimi i KUZ Borsh” ka një fond limit prej 500 milionë lekësh pa TVSH, ose rreth 5.5 milionë euro me kursin aktual.
Investimi do të financohet tërësisht nga buxheti i Bashkisë Himarë dhe është programuar në tre vite. Për vitin 2026 janë parashikuar rreth 41.7 milionë lekë, për vitin 2027 pjesa më e madhe e financimit, prej 250 milionë lekësh, ndërsa për vitin 2028 rreth 208.3 milionë lekë. Financimi mbështetet në buxhetin e bashkisë për vitin 2026 dhe në programin buxhetor afatmesëm 2026-2028.
Dokumentet e tenderit parashikojnë një kohëzgjatje totale prej 24 muajsh, nga të cilët katër muaj janë përcaktuar për realizimin e projektit të zbatimit dhe 20 muaj për kryerjen e investimit. Vendndodhja e punimeve është fshati Borsh dhe procedura nuk është ndarë në lote.
Nga dokumentacioni teknik rezulton se projekti nuk kufizohet vetëm te shtrimi i tubacioneve. Në përgatitjen e projektit parashikohen llogaritje hidraulike për dimensionimin e rrjetit të kanalizimeve, përcaktimi i pusetave dhe gjurmëve të linjave të KUZ, kolektorëve sekondarë dhe primarë drejt pikës fundore të trajtimit, si edhe punime që lidhen me stacionin e pompimit. Për këtë të fundit dokumentet përmendin edhe transformatorin, pajisjet e matjes së energjisë, pajisjet e tensionit të mesëm, ndriçimin dhe linjat e jashtme për furnizimin me energji të impiantit dhe stacionit të pompimit.
Në dokumentacionin e argumentimit të kritereve, Bashkia Himarë ka detajuar edhe një listë të gjerë makinerish dhe pajisjesh të lidhura me realizimin e punimeve, nga pajisjet për bashkimin e tubacioneve dhe instrumentet gjeodezike deri te Total Station, gjeneratorët dhe mjetet për ndërhyrjen në rrjetin e ujërave të ndotura. Në disa raste vetë dokumenti evidenton nevojën për rivlerësim të kërkesave për të shmangur mbivendosjen e pajisjeve ose për të lejuar alternativa, si kontrata furnizimi për materialet inerte.
Afati i fundit i vendosur nga Bashkia Himarë për paraqitjen dhe hapjen e ofertave është 1 tetor 2026, ora 09:00. Dokumentacioni përcakton gjithashtu se nuk bëhet fjalë për një procedurë të rishpallur.
Investimi vjen në një moment kur Borshi po përjeton zhvillim të ndjeshëm turistik dhe ndërtimor, duke e bërë infrastrukturën e kanalizimeve dhe trajtimin e ujërave të ndotura një element kritik për zhvillimin e qëndrueshëm të zonës. Me një fond prej gjysmë miliardi lekësh dhe një kontratë që shtrihet deri në vitin 2028, projekti përbën një prej investimeve të rëndësishme infrastrukturore të programuara nga Bashkia Himarë për zonën e Borshit. /ekofin.al
