Qeveria parashikon të rrisë përsëri huamarrjen në tregun e brendshëm gjatë tre muajve të fundit të vitit 2026, pas uljes së ndjeshme të emetimeve të titujve qeveritarë gjatë tremujorit të tretë.
Sipas kalendarit të Ministrisë së Financave, në periudhën tetor-dhjetor janë programuar 87 miliardë lekë emetime bruto të bonove dhe obligacioneve, ose rreth 22.1 miliardë lekë më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ose rreth 34% më i lartë.
Rritja është veçanërisht e fortë në muajt nëntor dhe dhjetor. Për tetorin 2026 Ministria planifikon 38.5 miliardë lekë, për nëntorin 25 miliardë lekë dhe për dhjetorin 23.5 miliardë lekë.
Krahasimi me ecurinë e vitit tregon ndërkohë një profil interesant të huamarrjes së brendshme. Tremujori i parë nisi me një volum shumë të lartë emetimesh: 134 miliardë lekë, të ndara në 45.5 miliardë në janar, 43 miliardë në shkurt dhe 45.5 miliardë lekë në mars.
Në tremujorin e dytë ritmi u ngadalësua. Kalendari parashikonte 95 miliardë lekë, nga 39.5 miliardë në prill, 25 miliardë në maj dhe 30.5 miliardë lekë në qershor. Krahasuar me tremujorin e parë, volumi i planifikuar i emetimeve ra me rreth 29%.
Tkurrja vazhdoi edhe gjatë tremujorit të tretë. Për korrik-shtator Ministria programoi 79.5 miliardë lekë emetime: 29.5 miliardë në korrik, 27.5 miliardë në gusht dhe vetëm 22.5 miliardë lekë në shtator.
Kështu, kalendari i vitit 2026 paraqet një trajektore të qartë: 134 miliardë lekë në T1, 95 miliardë në T2, 79.5 miliardë në T3 dhe 87 miliardë lekë në T4. Tremujori i katërt sjell për herë të parë gjatë vitit një kthim të tendencës, me rritje rreth 9.4% kundrejt tremujorit të tretë, megjithëse huamarrja e programuar mbetet rreth 35% më e ulët se në tre muajt e parë të vitit.
Nëse mblidhen katër kalendarët tremujorë, gjatë gjithë vitit 2026 Ministria e Financave ka programuar rreth 395.5 miliardë lekë emetime bruto në tregun e brendshëm. Duhet theksuar se këto janë emetime bruto dhe jo domosdoshmërisht borxh i ri neto: një pjesë e konsiderueshme e ankandeve shërben për rifinancimin e titujve që maturohen. Gjithashtu, bëhet fjalë për kalendarët e planifikuar dhe jo për rezultatin përfundimtar të huamarrjes së realizuar.
Një element që bie në sy në kalendarin e tetor-dhjetorit 2026 është përdorimi i një game të gjerë maturitetesh. Vetëm në tetor parashikohet një emetim i ri prej 6.5 miliardë lekësh obligacionesh 2-vjeçare dhe një emetim i ri prej 4 miliardë lekësh obligacionesh 10-vjeçare, krahas obligacioneve 7-vjeçare dhe rihapjes së obligacioneve referencë 3 dhe 5-vjeçare.
Në nëntor parashikohet edhe një emetim i ri 15-vjeçar prej 2 miliardë lekësh, ndërsa gjatë dhjetorit do të rihapen obligacionet 2-, 3-, 5-, 10- dhe 15-vjeçare.
Kjo strukturë tregon se financimi i fundvitit nuk mbështetet vetëm te bonot afatshkurtra, por shpërndahet në një spektër të gjerë maturitetesh, duke përfshirë instrumente që shkojnë deri në 15 vjet.
Bonot 12-mujore megjithatë vazhdojnë të kenë peshë të konsiderueshme. Në tetor janë programuar dy ankande nga 8.5 miliardë lekë, në nëntor një ankand prej 8 miliardësh dhe në dhjetor një tjetër prej 7 miliardësh. Në total, vetëm bonot 12-mujore përfaqësojnë 32 miliardë lekë, ose rreth 37% të gjithë emetimeve të planifikuara për tremujorin.
Në tërësi, kalendari i fundit konfirmon një rikthim të huamarrjes në rritje në fund të vitit, pas dy tremujorëve radhazi me ulje. Megjithatë, 87 miliardë lekët e planifikuara për tetor-dhjetor mbeten dukshëm poshtë nivelit të 134 miliardë lekëve të 3-mujorit të parë. /ekofin.al

