Shqipëria do të vendosë në funksion një sistem të integruar për monitorimin e kufijve tokësorë, detarë dhe ajrorë, që do të mbështetet te radarët, kamerat, sensorët dhe shkëmbimi i informacionit pothuajse në kohë reale mes institucioneve shqiptare dhe strukturave evropiane.
Këshilli i Ministrave miratoi më 11 shtator 2026 Rregulloren e Sistemit të Mbikëqyrjes së Kufirit, e cila përcakton mënyrën se si do të mblidhet, përpunohet dhe shpërndahet informacioni për sigurinë kufitare. Vendimi u publikua sot në Fletoren Zyrtare, duke hyrë në fuqi, ndërsa efektet financiare fillojnë nga 1 janari 2027.
Sistemi konceptohet si një strukturë e integruar teknike, operative dhe organizative për monitorimin, kontrollin dhe menaxhimin e kufijve të Shqipërisë. Synimi është zbulimi dhe parandalimi i kalimeve të paautorizuara, migracionit të parregullt dhe krimit ndërkufitar, por edhe reagimi ndaj emergjencave dhe operacioneve të kërkim-shpëtimit.
Një nga elementet më të rëndësishme është infrastruktura teknologjike që mund të përdoret për mbikëqyrjen. Rregullorja rendit ndër burimet e informacionit sistemet kombëtare të mbikëqyrjes së kufirit tokësor, detar dhe ajror, si dhe pajisje stacionare dhe të lëvizshme.
Mes tyre përfshihen radarët, të cilët mund të japin të dhëna për pozicionin, kursin, shpejtësinë, kohën dhe madhësinë e objektivit; kamerat që prodhojnë fotografi dhe video; kamera të kontrolluara me rreze aktive, si dhe sensorë dhe sisteme me frekuencë radioje. Për hapësirën detare parashikohen gjithashtu sisteme hidrofonike, të afta të sigurojnë të dhëna për lëvizjen dhe klasifikimin e mjeteve lundruese.
Në qendër të gjithë arkitekturës do të jetë Qendra Kombëtare e Koordinimit për Menaxhimin e Integruar të Kufirit, e cila do të grumbullojë, përpunojë, analizojë dhe shpërndajë informacionin dhe do të koordinojë bashkëpunimin ndërinstitucional dhe ndërkombëtar. Sistemi do të krijojë një tablo operative të përditësuar të flukseve migratore, incidenteve kufitare, rreziqeve dhe aktiviteteve të paligjshme.
Sistemi shqiptar lidhet drejtpërdrejt edhe me arkitekturën evropiane të mbikëqyrjes së kufijve. Qendra Kombëtare e Koordinimit do të shkëmbejë informacion me vendet fqinje, vendet e rajonit dhe Agjencinë Evropiane të Rojës Kufitare dhe Bregdetare, FRONTEX, në kuadër të EUROSUR-it.
Në këtë sistem mund të integrohen edhe të dhëna nga operacionet e përbashkëta me vendet fqinje, kontrollet doganore, pikat e përbashkëta kufitare, sistemet e raportimit të mjeteve lundruese dhe informacionet e FRONTEX-it. Për verifikimet kufitare përfshihen informacionet mbi personat, mjetet e transportit, bagazhet dhe mjetet audiovizive të mbikëqyrjes në pikat e kalimit kufitar.
Një tjetër risi është ndarja e kufirit shtetëror në sektorë, që do të përdoren si bazë për analizën e riskut, planifikimin e emergjencave dhe ndërhyrjeve dhe vlerësimin e cenueshmërisë. Ndarja konkrete e territorit kufitar në sektorë do të përcaktohet me urdhër të drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit.
Çdo sektor do të klasifikohet sipas katër niveleve të ndikimit: i ulët, i mesëm, i lartë dhe kritik. Klasifikimi do të mbështetet te rreziqet, kërcënimet, ngjarjet e ndodhura dhe probabiliteti që incidente të caktuara të ndodhin në të ardhmen e afërt.
Rritja e nivelit të riskut do të sjellë edhe rritjen e masave në terren. Për shembull, kur një sektor klasifikohet me ndikim të lartë, strukturat vendore duhet të marrin mbështetje shtesë dhe masat e kontrollit e mbikëqyrjes duhet të forcohen. Mund të bëhet edhe rialokimi i përkohshëm i personelit dhe logjistikës nga sektorë të tjerë të kufirit apo nga njësi speciale. Në këto raste parashikohet njoftimi i menjëhershëm i ministrit të Punëve të Brendshme.
Rregullorja vendos njëkohësisht kufizime për përdorimin e informacionit. Të dhënat personale mund të përpunohen vetëm kur kjo është e nevojshme për funksionimin e sistemit dhe duhet të mbrohen sipas legjislacionit për të dhënat personale, sigurinë kibernetike dhe informacionin e klasifikuar.
Në këtë mënyrë, sistemi i ri synon të kalojë nga një mbikëqyrje e fragmentuar e kufirit në një model ku informacioni nga policia, doganat, radarët, kamerat, sensorët, patrullat dhe partnerët ndërkombëtarë bashkohet në një tablo të vetme operative, mbi të cilën përcaktohet edhe niveli i reagimit në secilin sektor të kufirit. /ekofin.al
