Rezerva e sigurisë së hidrokarbureve nuk do të mbahet më nga operatorët privatë. Këshilli i Ministrave miratoi sot projektligjin që ndryshon mënyrën e administrimit të kësaj rezerve, duke parashikuar që ajo të mbahet dhe menaxhohet nga një subjekt shtetëror.
Ministri i Energjisë dhe Infrastrukturës, Enea Karakaçi, tha pas mbledhjes së qeverisë se projektligji sjell një ndryshim të plotë të skemës aktuale, duke e kaluar përgjegjësinë për rezervën e sigurisë nga operatorët privatë te një autoritet shtetëror.
Sipas Karakaçit, projektligji parashikon krijimin e Autoritetit Kombëtar për Sigurinë e Hidrokarbureve, i cili do të ngarkohet me ruajtjen dhe menaxhimin e rezervës. Autoriteti do të ketë gjithashtu përgjegjësinë për hedhjen e saj në treg kur të ketë mungesa të hidrokarbureve dhe në përputhje me përcaktimet ligjore.
“Me anë të këtij projektligji bëjmë një ndryshim të plotë të qasjes aktuale, ku rezerva aktuale e hidrokarbureve mbahet nga operatorët privatë. Me anë të këtij akti ligjor, mbajtja e rezervës së sigurisë së hidrokarbureve bëhet nga një subjekt shtetëror”, deklaroi Karakaçi.
Rezerva e sigurisë është parashikuar si një mekanizëm për garantimin e furnizimit në rast se tregu përballet me mungesë hidrokarburesh. Në këto kushte, sasia e rezervuar mund të hidhet në treg sipas nevojave dhe procedurave të përcaktuara nga ligji si dhe duke ruajtur peshën ekonomike.
Projektligji synon njëkohësisht përafrimin e legjislacionit shqiptar me direktivat e Bashkimit Evropian për sigurinë e furnizimit me hidrokarbure.
