Sektori i shërbimeve ka vijuar zgjerimin gjatë tremujorit të dytë të vitit 2026, por ecuria ka qenë e pabarabartë mes aktiviteteve të ndryshme. Pasuritë e paluajtshme, hoteleria dhe transporti regjistruan rritjet më të forta të shitjeve, ndërsa disa aktivitete, përfshirë agjencitë e udhëtimit dhe informacionin e komunikacionin, shënuan rënie.
Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT për Statistikat Afatshkurtra të Shërbimeve, rritjen më të lartë vjetore të indeksit të shitjeve neto në volum e regjistroi aktiviteti i pasurive të paluajtshme. Në tremujorin e dytë 2026, shitjet në këtë aktivitet u rritën me 38.9% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Rritja e fortë e aktivitetit në tregun e pasurive të paluajtshme është shoqëruar edhe me zgjerim të punësimit dhe fondit të pagave. Numri i të punësuarve në këtë sektor u rrit me 26.6% në raport me tremujorin e dytë 2025, ndërsa indeksi i pagave u rrit me 33.6%.
Një tjetër sektor me performancë të fortë ishte hoteleria. Indeksi i shitjeve neto në volum për hotelet u rrit me 22% në terma vjetorë, ndërsa punësimi u zgjerua me 11.5%. Edhe më e fortë ishte rritja e fondit të pagave, me 26.1% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Të dhënat sinjalizojnë kështu një tremujor pozitiv për aktivitetin hotelier, në një periudhë që përkon edhe me hyrjen në sezonin turistik.
Edhe transporti, magazinimi dhe posta regjistruan një rritje të konsiderueshme. Shitjet neto në volum u zgjeruan me 19.1%, punësimi me 5.7%, ndërsa indeksi i pagave ishte 9% më i lartë se një vit më parë.
Në sektorin e bar-restoranteve, shitjet u rritën me 8.7%, ndërsa punësimi me vetëm 2.2%. Në të njëjtën kohë, indeksi i pagave u rrit me 16.2%, duke treguar një ritëm dukshëm më të lartë të rritjes së fondit të pagave krahasuar me numrin e të punësuarve.
Tregtia me shumicë dhe pakicë, së bashku me riparimin e automjeteve dhe motoçikletave, regjistroi gjithashtu një ecuri pozitive. Shitjet neto në volum u rritën me 6%, punësimi me 5.6%, ndërsa indeksi i pagave me 13.1%.
Por jo të gjitha aktivitetet e shërbimeve kanë ndjekur të njëjtën tendencë.
Në informacion dhe komunikacion, shitjet neto në volum ranë me 0.6% në terma vjetorë, megjithëse punësimi u rrit me 1.7% dhe indeksi i pagave me 10.9%. Aktivitetet ligjore dhe të kontabilitetit regjistruan një rënie më të fortë të shitjeve, me 5.3%, ndërkohë që punësimi u rrit me 1.4% dhe pagat me 6.7%.
Edhe agjencitë e udhëtimit paraqesin një zhvillim interesant. Pavarësisht ecurisë së fortë të hotelerisë, shitjet neto në volum të agjencive ranë me 5.4% krahasuar me tremujorin e dytë 2025. Në të njëjtën kohë, punësimi u rrit me 2.2%, ndërsa indeksi i pagave shënoi një rritje të fortë prej 21.2%.
Në administrimin e zyrave dhe aktivitetet e mbështetjes administrative situata ishte më negative. Shitjet ranë me 6%, numri i të punësuarve me 12.1% dhe indeksi i pagave me 5.4%, duke e bërë këtë një nga aktivitetet e pakta të vrojtuara ku të tre treguesit kryesorë rezultuan në rënie.
Në raport me tremujorin e parë të këtij viti, të dhënat e përshtatura sezonalisht tregojnë se rritjen më të fortë të shitjeve e kishte transporti dhe magazinimi, me 17.8%. Hotelet pasuan me një rritje prej 11.9%, ndërsa aktivitetet e sigurimit dhe hetimit u rritën me 4.2%.
Ndërkohë, shitjet e agjencive të udhëtimit ranë me 0.6% ndaj tremujorit të parë dhe administrimi i zyrave e mbështetja administrative me 5%./ekofin.al

