Përdoruesit faktikë të tokave bujqësore të ish-kooperativave dhe ish-ndërmarrjeve bujqësore që janë ende në proces për kalimin e tyre në pronësi do të përballen me një procedurë më të përcaktuar dhe me afate konkrete, në rast se nuk paraqiten ose nuk bashkëpunojnë me administratën.
Ndryshimet parashikohen në projektligjin për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.20/2020 “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”. Drafti ndërhyn në nenin 14 të ligjit, i cili rregullon procedurën e kalimit në pronësi pa shpërblim të tokës bujqësore.
Sipas formulës së propozuar, Agjencia Shtetërore e Kadastrës do të vazhdojë të jetë institucioni që saktëson sipërfaqen që mund të kalojë në pronësi dhe verifikon plotësimin e kushteve ligjore. Ky proces kryhet në konsultim me përfaqësuesit e administratës së njësisë së vetëqeverisjes vendore.
ASHK do të hartojë gjithashtu listën e përdoruesve faktikë të tokës bujqësore për çdo ish-kooperativë ose ish-ndërmarrje bujqësore dhe do t’ia paraqesë atë këshillit bashkiak për miratim. Ky mekanizëm ekziston edhe në ligjin aktual nr.20/2020.
Risia kryesore e draftit lidhet me rastet kur personi që pretendon kalimin e tokës në pronësi nuk paraqitet për verifikimin në terren ose nuk bashkëpunon me administratën.
Në këtë rast, ASHK nuk e mbyll menjëherë procedurën. Brenda 10 ditëve nga evidentimi në terren, Kadastra duhet të kryejë njoftimin publik sipas Kodit të Procedurave Administrative dhe të publikojë të dhënat e kërkesës për kalimin e tokës bujqësore nga përdorimi në pronësi.
Njoftimi do të bëhet në tri vende: në ambientet e njësisë administrative, në drejtorinë vendore të ASHK-së dhe në faqen zyrtare të Kadastrës. Nëse gjatë kësaj periudhe, apo në çdo moment përpara përfundimit të procedurës administrative, paraqitet subjekti kërkues, ASHK vazhdon procedurat për kalimin pa shpërblim të tokës bujqësore.
Drafti vendos më pas dy afate të rëndësishme: 30 ditë dhe 60 ditë.
Nëse brenda 30 ditëve nga njoftimi publik personi nuk përmbush detyrimet procedurale, ASHK vendos pezullimin e procedurës për kalimin në pronësi të tokës bujqësore. Pezullimi zgjat 60 ditë dhe vendimi publikohet si në njësinë administrative, ashtu edhe në faqen zyrtare të ASHK-së.
Nëse edhe brenda 60 ditëve nga njoftimi publik i pezullimit subjekti vazhdon të mos përmbushë detyrimet procedurale, pasoja është përfundimtare për atë kërkesë: ASHK vendos refuzimin e kërkesës për kalimin pa shpërblim të tokës bujqësore.
Kjo është edhe pjesa me ndikimin më praktik të ndryshimit të propozuar. Proceset e mbetura pezull për shkak të mosparaqitjes ose mungesës së bashkëpunimit të kërkuesve nuk do të mund të qëndrojnë pa afat në administratë. Projektligji krijon një zinxhir procedural të qartë: njoftim publik, afat 30-ditor, pezullim për 60 ditë dhe, në fund, refuzim të kërkesës nëse subjekti përsëri nuk vepron.
Megjithatë, ndryshimi nuk do të thotë se të gjithë përdoruesit aktualë të ish-tokave bujqësore fitojnë automatikisht të drejtën e pronësisë. Drafti që po ndryshon ligjin nr.20/2020 nuk eliminon kriteret bazë për përfitimin. Ai ndërhyn kryesisht në mënyrën sesi ASHK administron dhe përfundon procedurat kur kërkuesi nuk paraqitet ose nuk bashkëpunon.
Ligji aktual parashikon që, pas miratimit të listës së përdoruesve faktikë, ASHK plotëson aktet individuale të kalimit në pronësi në favor të përfituesve dhe kryen regjistrimin në kadastër.
Nëse ndryshimet miratohen, për personat që kanë procese të hapura për tokat e ish-kooperativave apo ish-ndërmarrjeve bujqësore merr rëndësi të veçantë ndjekja e njoftimeve të ASHK-së dhe paraqitja në procedurat e verifikimit. Mosveprimi, pas njoftimit dhe kalimit të afateve të reja, mund të çojë deri në refuzimin e kërkesës për kalimin e tokës në pronësi pa shpërblim. /ekofin.al
