Arabia Saudite ka mbyllur një tubacion kritik të naftës pasi ai u sulmua nga dronë të nisur nga Iraku, ndërsa konflikti në Lindjen e Mesme po zgjerohet.
Iraku njoftoi se kishte shkarkuar një komandant ushtarak dhe kishte nisur hetime, pasi pranoi se sulmi me dron ndaj tubacionit Lindje-Perëndim të vendit fqinj kishte origjinën në një nga provincat e tij në kufi me Iranin.
Tubacioni, me gjatësi 1,200 kilometra, ka ndihmuar Arabinë Saudite, eksportuesen më të madhe në botë të naftës bruto, të anashkalojë Ngushticën e Hormuzit.
Incidenti vjen në një kohë kur rebelët Houthi, të mbështetur nga Irani, kanë bërë një përparim të madh në Jemen, duke shtuar më tej presionin mbi rrugët globale të transportit të naftës, ndërsa lufta mes SHBA-së dhe Iranit ka hyrë në muajin e shtatë.
Të premten, forcat qeveritare të Jemenit të mbështetura nga Arabia Saudite njoftuan se kishin goditur luftëtarët Houthi në qytetin strategjik bregdetar të Mokha-s, një ditë pasi Houthit morën kontrollin e të gjithë vijës bregdetare të Detit të Kuq.
Riadi njoftoi të premten se kishte mbyllur tubacionin si masë paraprake, ndërsa u publikuan imazhe satelitore që tregonin tokë të djegur dhe tym pranë vendit të sulmit.
Ministria e Jashtme saudite tha se sulmi kishte shkaktuar disa të plagosur dhe dëme materiale, të cilat ende po vlerësoheshin.
Sipas agjencisë Reuters, e cila citon kompani që gjurmojnë lëvizjen e anijeve dhe analistë, përmes këtij tubacioni ka kaluar një sasi nafte që përfaqëson rreth 4% deri në 5% të furnizimit botëror.
Arabia Saudite ka zgjedhur, të paktën në këtë fazë, të mos kundërpërgjigjet, bëri të ditur Ministria e Jashtme, pas një telefonate me kryeministrin e Irakut.
Në deklaratë thuhej se mbretëria do të “mbështesë përpjekjet e qeverisë irakiane” për të “parandaluar sulmet” që nisen nga territori i Irakut kundër vendeve fqinje.
“Mbretëria e Arabisë Saudite konfirmon se rezervon të drejtën të marrë të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur sovranitetin dhe sigurinë e saj, objektet e saj dhe sigurinë e qytetarëve dhe banorëve të saj”, thuhej më tej në deklaratë.
Zyra e kryeministrit irakian tha në një deklaratë të veçantë se komandanti i operacioneve në provincën Maysan, e cila kufizohet me Iranin, ishte shkarkuar nga detyra pasi u konfirmua se sulmi me dron ishte nisur nga ajo zonë.
Edhe Këshilli i Bashkëpunimit të Gjirit, ku bëjnë pjesë Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreini, Omani, Katari dhe Kuvajti, dënoi sulmin.
“Ky sulm përbën një përshkallëzim të rrezikshëm dhe një kërcënim të papranueshëm për sigurinë e Mbretërisë së Arabisë Saudite, integritetin e saj territorial dhe objektet e saj jetike, si dhe një shkelje flagrante të parimeve të së drejtës ndërkombëtare”, deklaroi sekretari i përgjithshëm Jasem Mohamed Albudaiwi.

Gjatë kësaj jave, një ofensivë e shpejtë në Jemen ka bërë që militantët Houthi të marrin kontrollin e një pjese të madhe të vijës bregdetare të vendit, sipas burimeve.
Grupi deklaroi se kishte marrë kontrollin e Ngushticës Bab al-Mandab, porta hyrëse drejt Detit të Kuq dhe Kanalit të Suezit, megjithëse tha se lundrimi detar është “i sigurt për të gjitha kompanitë, përveç anijeve saudite”.
Forcat e Armatosura të Jemenit janë kundërpërgjigjur. Të premten, zëdhënësi Majid al-Nuzaili deklaroi se forcat kishin goditur pozicionet e Houthive në qytetin Mokha dhe përreth tij, duke shtuar se kishin shkatërruar automjete dhe armë dhe kishin vrarë një numër luftëtarësh Houthi.
Qyteti strategjik bregdetar në Detin e Kuq ndodhet rreth 80 kilometra në veri të Ngushticës Bab al-Mandab. Houthit morën kontrollin e Mokha-s të enjten.
Sulmi i tyre detyroi shumë banorë të largohen drejt Adenit, ku janë vendosur Këshilli Presidencial i Udhëheqjes i njohur ndërkombëtarisht dhe qeveria e Jemenit.
Burime lokale raportuan gjithashtu se forcat qeveritare kishin kryer sulme ajrore kundër forcave Houthi në provincën Taiz, përgjatë bregdetit të Detit të Kuq, si dhe në provincën Ibb, e cila kufizohet me Taizin.
Zhvillimet kanë shtuar presionin në të dyja anët e Gadishullit Arabik dhe kanë çuar çmimin e naftës bruto mbi 100 dollarë për fuçi, për herë të parë që nga korriku.
Rritja e fortë e çmimeve të energjisë ka shtuar gjithashtu frikën për inflacionin dhe ka ushtruar presion të mëtejshëm mbi kostot e huamarrjes së qeverive./Përshtati nga BBC, ekofin.al
