Shqipëria prodhon pjesën dërrmuese të energjisë elektrike nga burime të rinovueshme, por ky avantazh nuk po përkthehet në një industri më eficiente. Intensiteti energjetik i prodhimit vlerësohet deri në tri herë më i lartë se mesatarja e Bashkimit Evropian, ndërsa industria përdor rreth 29% të konsumit final të energjisë në vend, sipas një vlerësimi të Organizatë së Kombeve të Bashkuara për Zhvillim Industrial (UNIDO).
Kjo nuk do të thotë se industria shqiptare konsumon në total tri herë më shumë energji se industria evropiane. Treguesi mat energjinë e nevojshme për një njësi prodhimi, pra sa energji përdoret për të krijuar një nivel të caktuar të prodhimit. Pikërisht këtu UNIDO nxjerr në pah dobësinë, me proceset veçanërisht intensive në energji në materialet e ndërtimit, tekstile dhe agro-përpunim.
Raporti e cilëson situatën si një “paradoks strukturor”. Shqipëria ka një sistem elektrik kryesisht të rinovueshëm, por ndërmarrjet nuk po e shfrytëzojnë plotësisht këtë avantazh për shkak të eficiencës së dobët në nivel fabrike. UNIDO e lidh konsumin e lartë të energjisë për njësi prodhimi me investimet e pamjaftueshme në modernizimin e proceseve, përdorimin e kufizuar të auditimeve dhe sistemeve të menaxhimit të energjisë dhe mungesën e një strategjie të posaçme për eficiencën energjetike industriale.
Një pengesë tjetër është financimi. Sipas raportit, shumica e kompanive nuk kanë në dispozicion instrumente të përballueshme të financimit të gjelbër apo shërbime këshillimi për modernizimin e impianteve. Edhe kërkimi dhe zhvillimi vendas në teknologjitë e pastra mbetet i kufizuar. Ndërsa ligji për eficiencën e energjisë dhe Plani Kombëtar i Energjisë dhe Klimës 2030 krijojnë një bazë për ndërhyrje, zbatimi vlerësohet i fragmentuar dhe i përqendruar kryesisht në iniciativa të mbështetura nga donatorët.
Problemi merr peshë më të madhe me afrimin e Shqipërisë me tregun e BE-së. UNIDO nënvizon se me instrumente si Mekanizmi i Rregullimit të Karbonit në Kufij, CBAM, kompanive nuk do t’u mjaftojë të provojnë se energjia që përdorin është me karbon të ulët; ato duhet të demonstrojnë edhe se procesi i prodhimit është eficient. Pa investime në këtë drejtim, bizneset shqiptare mund të përballen me kosto më të larta të pajtueshmërisë dhe humbje konkurrence në tregjet evropiane.
Raporti evidenton ndërkohë edhe vonesat në ekonominë qarkulluese. Mjetet për përdorimin eficient të burimeve nuk janë ende të integruara sa duhet në politikat industriale dhe programet e mbështetjes së bizneseve, ndërsa përdorimi i auditimeve të energjisë e ujit, minimizimit të mbetjeve dhe vlerësimit të ciklit të jetës mbetet i kufizuar./ekofin.al

