Nga Mirilda Tili
A duhet të deklarohet paga në njoftimin e punës apo të lihet për negociim? Direktiva e BE-së për transparencën e pagave sjell një standard të ri: kandidatët duhet të informohen për pagën fillestare ose diapazonin e saj përpara intervistës ose në një fazë të hershme të rekrutimit. Qëllimi është që negociimi të bëhet mbi një bazë të qartë dhe transparente, në përputhje me parimin e pagës së barabartë për punë të barabartë ose me vlerë të barabartë.
Direktiva (BE) 2023/970 parashikon që informacioni për pagën mund të përfshihet në njoftimin e punës ose t’i jepet kandidatit përpara intervistës. Komisioni Europian e lidh këtë me shmangien e situatave kur punëkërkuesi përfundon procesin e rekrutimit pa ditur nëse paga përputhet me pritshmëritë e tij.
Në Shqipëri, diskutimi mbetet i hapur. Erald Pashaj dhe Kastriot Sulka bien dakord se diapazoni i pagës mund të jetë një zgjidhje, por ndahen për mënyrën dhe masën e zbatimit të transparencës në një treg ku negociimi individual mbetet i rëndësishëm.
Erald Pashaj: Publikimi i pagës nuk është zgjidhje universale
Eksperti Erald Pashaj argumenton se nuk ekziston një përgjigje e vetme për të gjitha profesionet dhe të gjitha tregjet. Sipas tij, në tregjet e maturuara mund të funksionojë më mirë publikimi i një page fikse ose i një intervali, sepse pozicionet janë më të standardizuara dhe vlera e tyre është më e përcaktuar.
Pashaj sjell si shembull një pozicion shitjeje me orar dhe detyra të përcaktuara, ku punëdhënësi mund të deklarojë një pagë ose një interval të qartë. Por, sipas tij, në tregje më pak të standardizuara, paga shpesh përcaktohet edhe nga vetë kandidati që vendoset përballë punëdhënësit.
“Ka disa shkolla, nuk është vetëm që duhet publikuar paga”, thekson Pashaj, duke nënvizuar se mënyra e përcaktimit të pagës varet nga struktura dhe kultura e tregut.
Në këndvështrimin e tij, publikimi i një intervali mund të krijojë edhe pritshmëri të larta. Nëse, për shembull, një kompani publikon se një ekonomist paguhet nga 1,000 deri në 2,000 euro, kandidati mund të synojë automatikisht nivelin maksimal të intervalit, edhe nëse kualifikimi dhe eksperienca e tij e pozicionojnë më pranë nivelit minimal.
Kjo, sipas Pashajt, mund ta bëjë më të vështirë negociimin.
Ai e shpjegon këtë përmes karakteristikave të punës: ndryshe nga një produkt me parametra të përcaktuar, vlera e një punonjësi nuk mund të matet vetëm me një çmim të vendosur paraprakisht. Për të, në vlerësimin e kandidatit hyjnë CV-ja, eksperienca, përkushtimi, aftësitë dhe ajo që personi mund të sjellë në pozicion.
“Ti do ta shikosh nga CV, nga përkushtimi, nga gjërat që di, nga gjërat që mund të bëjë”, argumenton ai, duke e parë pagën si rezultat të një vlerësimi individual dhe jo thjesht si një çmim të standardizuar.
Pashaj pranon, megjithatë, se publikimi i pagës mund të ketë avantazhe për disa pozicione. Ai sjell si shembull pozicionet shumë të strukturuara, ku pagat janë të përcaktuara sipas kategorive dhe niveleve. Sipas tij, aty transparenca është më e natyrshme, ndërsa në pozicione ku diferencat individuale janë më të mëdha, hapësira për negocim mbetet më e rëndësishme.
Në këtë pikë, ai e lidh çështjen edhe me maturimin e tregut shqiptar të punës. Sipas Pashajt, tregu vendas ende nuk është aq i standardizuar sa të mund të përcaktojë me saktësi vlerën e çdo pozicioni.
Kastriot Sulka: Paga mund të bëhet publike, por si diapazon
Eksperti Kastriot Sulka e sheh çështjen nga një këndvështrim pjesërisht të ndryshëm. Ai nis nga ideja se paga është një element që lidhet me konfidencialitetin dhe negociimin mes palëve.
“Pagat janë konfidenciale dhe për pasojë nuk mund të jenë të deklaruara, për më tepër që janë pjesë e negociatave”, shprehet Sulka.
Sipas tij, kushtet konkrete të punës mund të ndryshojnë ndjeshëm edhe për të njëjtin pozicion: punësim me kohë të plotë apo të pjesshme, kontratë definitive apo për një periudhë të caktuar, si dhe faktorë të tjerë që ndikojnë në vlerën përfundimtare të pagës.
Megjithatë, Sulka nuk e përjashton transparencën në njoftimet e punës. Përkundrazi, ai pranon se paga mund të jetë pjesë e reklamës për një vend pune, por sugjeron që ajo të jepet si diapazon.
Pra, një kompani mund të njoftojë, për shembull, një interval të caktuar page, ndërsa vlera përfundimtare të përcaktohet pas vlerësimit të kandidatit.
Këtu qëndrimi i Sulkës afrohet me logjikën e Direktivës europiane, e cila nuk e kufizon transparencën vetëm te një shifër fikse, por parashikon pikërisht pagën fillestare ose intervalin e pagës.
Sulka shton edhe një faktor tjetër: dy persona që kryejnë të njëjtin pozicion mund të paguhen ndryshe për shkak të vjetërsisë, kualifikimeve apo diplomave.
Kjo do të thotë se edhe nëse pozicioni është i njëjtë, paga nuk është domosdoshmërisht identike.
Çfarë kërkon realisht BE-ja?
Direktiva europiane e zhvendos fokusin nga pyetja “A duhet të shkruhet paga në çdo njoftim?” drejt një parimi më të gjerë: kandidati nuk duhet të hyjë në një proces rekrutimi pa pasur informacion mbi nivelin e pagës që mund të presë. Kjo është një diferencë e rëndësishme.
Sipas nenit 5 të Direktivës, informacioni mund të jetë në vetë njoftimin e punës, por mund t’i komunikohet kandidatit edhe përpara intervistës ose në një moment tjetër përpara lidhjes së kontratës, në mënyrë që negociimi të jetë i informuar.
Pra, në kuptimin europian, transparenca e pagës nuk do të thotë domosdoshmërisht eliminim i negocimit. Përkundrazi, vetë Direktiva synon një negocim më të informuar. Ajo e konsideron mungesën e informacionit për pagën si një asimetri informacioni që dobëson pozicionin negociues të kandidatit.
Në të njëjtën kohë, rregullat kërkojnë që kriteret për përcaktimin e pagës dhe përparimin në pagë të jenë objektive dhe neutrale gjinore. Këto kritere mund të lidhen me aftësitë, përpjekjen, përgjegjësinë dhe kushtet e punës.
Kjo e bën transparencën e pagës jo vetëm një çështje rekrutimi, por edhe një instrument kundër diskriminimit dhe hendekut gjinor në paga. /ekofin.al


