Gratë sipërmarrëse në Shqipëri pritet të kenë më shumë mundësi për akses në financim, ndërsa bankat dhe institucionet mikrofinanciare do të orientohen drejt një njohjeje më të mirë të këtij segmenti të tregut dhe zhvillimit të produkteve që u përgjigjen nevojave të tij.
Shqipëria iu bashkua zyrtarisht më 8 shtator nismës globale “WE Finance Code – Kodi për Financimin e Grave Sipërmarrëse”, një mekanizëm që synon të krijojë një qasje më të strukturuar ndaj financimit të bizneseve të drejtuara nga gratë.
Në ceremoninë e çeljes së nismës, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, deklaroi se përmirësimi i aksesit të grave sipërmarrëse në financë nuk duhet parë vetëm si çështje e përfshirjes financiare, por si një investim në potencialin ekonomik të vendit.
“Aksesi në financë nuk është thjesht mundësia për të marrë një kredi. Ai lidhet me aftësinë e një ekonomie për të mobilizuar kapitalin drejt ideve, investimeve dhe sipërmarrjeve që kanë potencial për të krijuar vlerë”, tha Sejko.
Një nga elementet kryesore të nismës është krijimi i një baze më të plotë të dhënash për financimin e ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme, të ndara sipas gjinisë.
Sipas Bankës së Shqipërisë, tashmë është krijuar baza për një pasqyrë kombëtare të financimit të këtyre ndërmarrjeve dhe është zhvilluar edhe paneli analitik i Kodit për Financimin e Grave Sipërmarrëse.
Synimi është që përmes të dhënave të identifikohen më qartë boshllëqet që ekzistojnë në financimin e grave sipërmarrëse dhe të matet progresi në kohë.
Kjo pritet të ketë rëndësi edhe për vetë bankat dhe institucionet e tjera financiare. Të dhënat më të detajuara mund t’u japin atyre një panoramë më të qartë për madhësinë e këtij segmenti, performancën e bizneseve të drejtuara nga gratë dhe nevojat e tyre për financim.
“Sa më mirë të kuptojmë performancën dhe karakteristikat e grave sipërmarrëse, aq më e lehtë bëhet të kalojmë nga një segment i perceptuar përmes informacionit të kufizuar, në një treg të kuptuar më mirë dhe me potencial të identifikueshëm”, u shpreh Guvernatori.
Kodi mbështetet mbi tre shtylla kryesore: udhëheqjen institucionale, të dhënat dhe veprimin.
Sipas Bankës së Shqipërisë, qëllimi përfundimtar nuk është vetëm mbledhja e statistikave apo angazhimi formal i institucioneve, por përkthimi i informacionit në produkte dhe politika konkrete që lehtësojnë financimin e grave në biznes.
Në këtë drejtim, bankave dhe institucioneve mikrofinanciare u kërkohet ta shohin nismën edhe si një mundësi tregu, duke përdorur të dhënat për të zhvilluar produkte dhe shërbime financiare më të përshtatura për gratë sipërmarrëse.
“Pikërisht këtu do të matet suksesi i Code-it. Jo nga numri i dokumenteve që do të nënshkruhen sot, as nga numri i takimeve që do të zhvillohen nesër, por nga ndryshimi që do të shohim në mënyrën se si gratë sipërmarrëse aksesojnë dhe përdorin financimin”, theksoi Sejko.
Nisma kërkon bashkëpunimin e institucioneve publike, Bankës së Shqipërisë, bankave tregtare dhe institucioneve mikrofinanciare, organizatave të biznesit dhe atyre që përfaqësojnë gratë, si dhe partnerëve ndërkombëtarë.
Në proces janë përfshirë edhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Nisma për Financimin e Grave Sipërmarrëse dhe Shkolla e Frankfurtit.
Banka e Shqipërisë do të kontribuojë kryesisht përmes statistikave, të dhënave, infrastrukturës financiare, politikave për përfshirjen financiare dhe koordinimit me sektorin financiar.
Sipas Guvernatorit, objektivi duhet të jetë që një grua me një ide të mirë biznesi të ketë akses jo vetëm në kredi, por edhe në informacionin dhe produktet financiare që i nevojiten për ta kthyer idenë në një sipërmarrje të qëndrueshme dhe konkurruese.
Në këtë kuptim, rezultatet e nismës do të maten jo nga numri i institucioneve që i bashkohen Kodit apo nga paneli analitik i krijuar, por nga rritja reale e mundësive të financimit për gratë sipërmarrëse në Shqipëri./ekofin.al
