Të dielën, më 6 shtator, masat e përkohshme të fleksibilitetit për Sistemin e Hyrje/Daljeve të Bashkimit Evropian (EES) do të përfundojnë.
Gjatë verës, vendeve anëtare iu dha e drejta të pezullonin përkohësisht mbledhjen e të dhënave biometrike të udhëtarëve, përmes gjurmëve të gishtërinjve dhe skanimeve të fytyrës, për të lehtësuar fluksin në raste të jashtëzakonshme.
Tashmë, organizatat e industrisë po kërkojnë që këto masa lehtësuese të zgjaten edhe pas shtatorit, mes shqetësimeve se vonesat në kufi mund të rikthehen.
Më pak fleksibilitet në aeroporte dhe kufij
Sistemi biometrik u bë plotësisht funksional në të gjitha pikat kufitare evropiane pjesëmarrëse më 10 prill 2026, pas një zbatimi gradual që nisi në tetor 2025.
Megjithatë, gjatë periudhës së tranzicionit, autoritetet evropiane kanë pasur në dispozicion një mekanizëm të rëndësishëm sigurie.
Sipas rregullave të BE-së, shtetet janë lejuar të pezullojnë përkohësisht mbledhjen e informacionit biometrik në pika të veçanta kufitare, kur numri i pasagjerëve bëhet aq i lartë sa kohët e pritjes arrijnë nivele të tepërta.
Nga 6 shtatori, kjo periudhë e përkohshme pritet të përfundojë, çka do të thotë se aeroportet dhe autoritetet kufitare do të kenë më pak fleksibilitet për të lehtësuar kërkesat biometrike vetëm për shkak se zonat e kontrollit të pasaportave janë mbingarkuar.
Në një konferencë për shtyp më 1 shtator, një zëdhënës i Komisionit Evropian tha se EES “në përgjithësi ka funksionuar mirë” gjatë verës, duke nënvizuar njëkohësisht se “përfitimet e sistemit të ri për BE-në janë të dukshme”.
Duke iu referuar përfundimit të masave të fleksibilitetit më 6 shtator, zëdhënësi i Komisionit Evropian tha: “Për sa i përket periudhës pas verës, jemi në kontakt të ngushtë dhe konstruktiv me ato pak shtete anëtare ku nevojiten disa rregullime në pika të caktuara të kalimit kufitar.
“Në përgjithësi, shohim se ekziston një vullnet i fortë i përbashkët që sistemi të funksionojë kudo.”
Pas 6 shtatorit, Jurgen Himmelmann, bashkëthemelues dhe drejtor ekzekutiv i Global Work & Travel, thotë se udhëtarët duhet të parashikojnë ndjeshëm më shumë kohë për udhëtimet që përfshijnë kontrolle kufitare në Evropë.
“Të mbërrish herët në aeroport është diçka e arsyeshme, por ka një kufi për atë që mund të kontrollosh,” thotë ai. “Sporteli i dorëzimit të bagazheve mund të mos jetë i hapur katër orë para nisjes dhe, sapo të futesh në radhën e kontrollit të pasaportave, nuk mund ta kalosh radhën thjesht sepse fluturimi yt ka nisur imbarkimin.
“Gjatë javëve të ardhshme do të shmangia planifikimin e një udhëtimi bazuar në kohën minimale të lidhjes mes fluturimeve. Një lidhje që në letër duket krejtësisht e arsyeshme mund të bëhet shumë problematike nëse humbet një orë ose më shumë në kufi.”
Frikë për rikthimin e vonesave në kufi gjatë shtatorit
Ekspertët e industrisë janë të shqetësuar se heqja e fleksibilitetit të përkohshëm të EES mund të sjellë përsëri kaos në kufi.
“Ne vazhdojmë t’i kërkojmë Komisionit Evropian që këto masa të lejohen edhe pas shtatorit, duke pranuar se ka ende punë për t’u bërë derisa EES të jetë plotësisht dhe në mënyrë të njëtrajtshme funksional në të gjitha vendet pjesëmarrëse,” tha Luke Petherbridge, drejtor për Marrëdhëniet me Publikun në ABTA, shoqatë tregtare britanike e operatorëve turistikë dhe agjencive të udhëtimit.
Sipas Shoqatës Ndërkombëtare të Transportit Ajror (IATA), kontrollet standarde të pasaportave, të cilat më parë zgjatnin rreth 20 deri në 25 sekonda, tashmë kërkojnë rreth 90 sekonda me sistemin EES.
Të dhënat tregojnë se kohët e pritjes janë dyfishuar në aeroporte të mëdha, ndërsa sistemi po përballet me vështirësi për të menaxhuar numrin shumë të lartë të pasagjerëve nga vendet jashtë BE-së.
Një studim i gazetës britanike Financial Times dhe grupit të analizës së udhëtimeve Qsensor tregon se në Frankfurt koha mesatare e pritjes arriti në 120 minuta në korrik, nga 60 minuta në të njëjtin muaj të vitit të kaluar.
Në aeroportin e Mynihut, pritja ka arritur deri në 60 minuta, nga 31 minuta një vit më parë, ndërsa në Amsterdam koha maksimale e pritjes u rrit nga 80 në 120 minuta gjatë së njëjtës periudhë.
IATA i ka kërkuar gjithashtu Bashkimit Evropian të zgjasë këtë “valvul sigurie”.
“Zgjatja e mundësisë për pezullim të pjesshëm edhe pas 6 shtatorit është absolutisht e nevojshme deri në fund të sezonit dimëror,” tha Thomas Reynaert, zëvendëspresident i lartë për Marrëdhëniet me Jashtë në IATA, gjatë një konference për mediat këtë javë.
Reynaert theksoi se shoqata është “plotësisht mbështetëse e EES”, por se duhet të plotësohen disa kushte përpara se të hiqen masat e fleksibilitetit.
Në një postim në LinkedIn, ai shtoi: “Sisteme të besueshme, kioska vetëshërbimi të instaluara plotësisht dhe kontrolle të automatizuara kufitare, së bashku me personel të mjaftueshëm, mbeten thelbësore që EES të funksionojë në mënyrë efektive gjatë periudhave të pikut, pa krijuar ndërprerje të panevojshme për pasagjerët, autoritetet kufitare dhe operatorët e transportit.”/Përshtati nga Euronews, ekofin.al
