Tregu shqiptar i automjeteve po vijon të zgjerohet edhe pse me ritme më të ngadalta, ndërsa të dhënat e tetë muajve të parë të vitit 2026 tregojnë dy tendenca gjithnjë e më të dukshme: dominimin e automjeteve me origjinë nga Koreja e Jugut dhe rritjen e peshës së makinave elektrike.
Sipas të dhënave Open Data të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR), në periudhën janar-gusht 2026 janë regjistruar për herë të parë 66,529 mjete, prej të cilave 53,024 janë autovetura. Kjo do të thotë se autoveturat përbëjnë pothuajse 80% të regjistrimeve të reja.
Ritmi i regjistrimeve është rritur ndjeshëm gjatë muajve të verës. Nga 6,895 mjete në janar, numri arriti në 7,306 në shkurt, 7,891 në mars dhe 8,707 në prill. Pas 8,116 regjistrimeve në maj, qershori shënoi nivelin më të lartë të vitit me 9,915 mjete, ndërsa korriku pasoi me 9,614. Në gusht u regjistruan 8,085 mjete.
Një nga elementët më interesantë të tregut mbetet origjina e automjeteve që hyjnë në Shqipëri. Koreja e Jugut vazhdon të jetë dukshëm burimi kryesor, me 17,436 mjete të regjistruara në tetë muaj.
Në vendin e dytë renditet Kina me 10,612 mjete, ndërsa Gjermania, tradicionalisht një prej tregjeve kryesore të furnizimit të Shqipërisë me automjete, vjen e treta me 7,943 mjete. Italia numëron 7,735 mjete, ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës rreth 5,503 dhe Zvicra 4,499.
Vetëm Koreja e Jugut përfaqëson rreth 26% të të gjitha mjeteve të regjistruara për herë të parë gjatë kësaj periudhe. Së bashku me Kinën, dy tregjet aziatike zënë rreth 42% të totalit, një tregues i qartë i zhvendosjes së burimeve të furnizimit të tregut shqiptar të automjeteve.
Një tjetër zhvillim i rëndësishëm është rritja e automjeteve elektrike. Në tetë muaj janë regjistruar gjithsej 7,077 mjete elektrike, nga të cilat 6,560 janë autovetura 100% elektrike.
Në segmentin e autoveturave, makinat elektrike përfaqësojnë tashmë rreth 12.4% të regjistrimeve të periudhës, ose afërsisht një në çdo tetë autovetura të regjistruara.
Edhe struktura sipas markave tregon qartë ndikimin në rritje të prodhuesve kinezë. BYD dominon bindshëm tregun e makinave elektrike, me 4,589 autovetura të regjistruara. Kjo përfaqëson rreth 70% të të gjitha autoveturave elektrike të regjistruara në vend gjatë tetë muajve të parë.
Pas BYD, diferenca është shumë e madhe: Volkswagen numëron 318 autovetura elektrike, AION 269 dhe Wuling 166, ndërsa në listë shfaqen edhe Fang Cheng, Changan, Geely, Avatr dhe XPeng.
Megjithatë, pavarësisht zgjerimit të shpejtë të segmentit elektrik, nafta vazhdon të dominojë flotën që hyn në tregun shqiptar. Nga 66,529 mjete të regjistruara, 35,786 janë me naftë, 18,708 me benzinë dhe 7,077 elektrike. Mjetet benzinë/gaz numërojnë 1,918. /ekofin.al
