Gjiganti izraelit i industrisë së mbrojtjes Elbit Systems po zgjeron me shpejtësi praninë në Ballkan. Pas hyrjes në Shqipëri, ku kompania ka regjistruar edhe degën e saj lokale në muajin maj të këtij viti dhe është përfshirë në bashkëpunimin për kapacitetet e mbrojtjes, tashmë izraelitët po përgatiten për një hap shumë më të madh në Serbi: prodhimin e dronëve ushtarakë përmes një kompanie të përbashkët me palën serbe.
Planet janë bërë publike nga presidenti serb Aleksandar Vuçiç, sipas të cilit kompania e re do të zotërohet në raportin 50 me 50 nga palët dhe pritet të nisë aktivitetin këtë muaj.
Partneri serb i Elbit Systems pritet të jetë Jugoimport-SDPR, kompania shtetërore që shërben si një prej shtyllave kryesore të industrisë së mbrojtjes së Serbisë.
Në qendër të bashkëpunimit është prodhimi i dronëve luftarakë të teknologjisë së avancuar, mes tyre LANIUS-X, një sistem i klasifikuar si municion endacak apo “dron vetëvrasës”, i projektuar veçanërisht për operacione në mjedise urbane.
“Ju gjurmon, ju ndjek pas dhe zgjedh objektivin”, është mënyra se si Vuçiç e ka përshkruar teknologjinë e dronit, ndërsa ka deklaruar se këto pajisje do të kushtojnë rreth 30 mijë euro për njësi.
Presidenti serb ka bërë të ditur gjithashtu se prodhimi do të vendoset në territorin e komunës së Çukaricës në Beograd, megjithëse objekti konkret ku do të zhvillohet aktiviteti nuk është bërë publik.
Elbit zgjerohet në Ballkan, pas Shqipërisë vjen Serbia
Lëvizja në Serbi vjen në një periudhë kur Elbit Systems po forcon ndjeshëm pozicionin në Ballkan.
Kompania izraelite ka hyrë edhe në Shqipëri, duke regjistruar degën e saj në vend dhe duke u pozicionuar në një treg ku Tirana zyrtare ka intensifikuar bashkëpunimin me Izraelin në fushën e mbrojtjes.
Në prill 2025, kompania shtetërore shqiptare e industrisë ushtarake KAYO dhe Elbit Systems nënshkruan një marrëveshje për rikonstruktimin dhe modernizimin e Akademisë së Aviacionit në Vlorë. Shqipëria dhe Izraeli kanë avancuar ndërkohë edhe bashkëpunimin shtetëror në fushën e kapaciteteve të mbrojtjes.
Mediat izraelite kanë raportuar gjithashtu për kontrata të Elbit Systems që lidhen me furnizimin e Shqipërisë me pajisje dhe sisteme ushtarake, përfshirë dronë dhe armatime të tjera.
Regjistrimi i degës shqiptare i jep kompanisë një prani të drejtpërdrejtë juridike në vend, ndërsa zhvillimet në Serbi tregojnë se ambiciet e saj në rajon shkojnë përtej furnizimit me pajisje.
Në Serbi bëhet fjalë për kalimin drejt prodhimit lokal dhe transferimit të teknologjisë, përmes një sipërmarrjeje të përbashkët me industrinë shtetërore të mbrojtjes.
Nëse projekti realizohet sipas paralajmërimeve të Vuçiçit, Serbia mund të bëhet një nga bazat rajonale të Elbit Systems për prodhimin e sistemeve moderne pa pilot.
Nga Rumania te Shqipëria dhe Serbia
Elbit Systems nuk po hyn në një territor krejtësisht të ri. Kompania ka prej kohësh kapacitete industriale në Evropë, ndërsa një nga pranitë e saj më të rëndësishme në rajon është Rumania.
Atje Elbit ka disa objekte prodhuese dhe është përfshirë në programin Watchkeeper X, sistem taktik pa pilot për zbulim dhe mbikëqyrje. Rumania ka lidhur një marrëveshje qindra milionë dollarëshe për këto sisteme.
Tashmë, Shqipëria dhe Serbia po shfaqen si dy pika të reja të zgjerimit të kompanisë në Ballkan, megjithëse modeli është i ndryshëm.
Në Shqipëri, Elbit po krijon praninë e vet lokale dhe është përfshirë në projekte të lidhura me modernizimin e kapaciteteve të mbrojtjes dhe aviacionit. Në Serbi, bashkëpunimi po shkon drejt një niveli industrial, me krijimin e një kompanie të përbashkët dhe prodhimin vendas të dronëve luftarakë.
Elbit Systems është një prej kompanive më të mëdha të industrisë globale të mbrojtjes. Sipas SIPRI-t, ajo renditet mes 100 kompanive më të mëdha të armëve në botë, ndërsa vetëm në tremujorin e dytë të vitit 2026 raportoi të ardhura prej 2.29 miliardë dollarësh, me rritje 16% në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë. /ekofin.al
