Shqipërisë do t’i duhet të mobilizojë 6.9 miliardë euro investime shtesë për të kaluar nga politikat që ka aktualisht te paketa më e gjerë e masave të nevojshme për objektivat e rinj të uljes së emetimeve, në kuadër të angazhimeve kundër ndryshimeve klimatike.
Vendimi i Këshillit të Ministrave nr. 646, datë 27.8.2026, që zëvendëson Kontributin Kombëtar të Përcaktuar të vitit 2021 me KKP 3.0 për periudhën 2025–2035 parashikon rreth 2.6 miliardë euro nevoja për investime që lidhen me masat ekzistuese.
Nëse dy komponentët merren së bashku, investimet e identifikuara arrijnë në rreth 9.5 miliardë euro. Por dokumenti bën një dallim të rëndësishëm: 2.6 miliardë euro lidhen me skenarin “me masa ekzistuese”, ndërsa 6.9 miliardë euro janë nevoja shtesë për skenarin më ambicioz “me masa shtesë”.
Ky skenar i dytë është edhe baza mbi të cilën Shqipëria ka ngritur objektivin e ri klimatik. Ai përfshin jo vetëm politikat e miratuara dhe në zbatim, por edhe masa të tjera që planifikohen të ndërmerren për energjinë, transportin, industrinë, ndërtesat, pyjet dhe sektorë të tjerë.
Paratë nuk parashikohet të dalin të gjitha nga buxheti i shtetit. Dokumenti sqaron se nevojat për investime duhet të mobilizohen nga burime publike, kapital privat dhe donatorë dhe se shifrat nuk përbëjnë një angazhim të pakushtëzuar të qeverisë për financimin e tyre nga fondet publike.
Kostot përfshijnë jo vetëm investimet fizike. Në vlerësime hyjnë edhe shpenzimet paraprake që nevojiten për të bërë të mundur realizimin e projekteve, si studimet teknike dhe financiare të fizibilitetit, hartimi i strategjive, trajnimi i stafit, ngritja e kapaciteteve dhe përgatitja e kuadrit të nevojshëm për zbatimin e masave.
Mes masave të parashikuara janë zgjerimi i prodhimit të energjisë së rinovueshme, forcimi i rrjetit elektrik, elektrifikimi i transportit, stacionet e karikimit për automjetet elektrike, eficienca e energjisë në ndërtesa dhe industri, si dhe teknologjitë për uljen e emetimeve në sektorët industrialë. Vetëm për stacionet e karikimit të automjeteve elektrike dhe instalimin e paneleve fotovoltaike dokumenti evidenton 13.5 milionë euro financim nëpërmjet IPA III.
Megjithatë, mobilizimi i financimit paraqitet si kusht praktik për zbatimin e politikave, jo si kusht për vetë angazhimin ndërkombëtar. Dokumenti thekson se objektivi i Shqipërisë për uljen e emetimeve është i pakushtëzuar, edhe pse realizimi i tij në praktikë mbështetet te sigurimi i investimeve të nevojshme.
Fatura lidhet vetëm me masat për uljen e emetimeve, ndërkohë kostot e përshtatjes ndaj pasojave të ndryshimeve klimatike kërkojnë veçmas 9.8 miliardë USD për 66 masa gjatë periudhës 2026–2036./ekofin.al
